Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Kur heshtja troket… 
(Brezit tim dhe jo vetëm)

Një shtëpizë atje në kodër ka pesë vjet që po ju pret.
Sa djersijnë muret e saj kur në portë një çel’s kërcet.
Mezi pret t’u ndjejë aromën dhe pse jeni të dy pleq.
Djersë a lot, muret e vjetër, s’di ç’të kenë, s’e di vërtet.

Nga kuzhina gjer në dhomë, as që jeni ndarë një jetë.
Ndien ajo ca tinguj hapash, më në fund të shkelin lehtë.
Trëndafilat, tharë të gjitha, s’u ka mbetur gjemb as fletë.
Ora, ngjan fytyrë njeriu, në mur ndalur, tash pesë vjet.

I ngjan djalit më të vogël, burrë tani, është në kurbet.
Dhe akrepat, gojë e mbyllur, cepa buzësh varur krejt.
Ngrirë te pesa dhe te teta: si atëherë, fiks: pesë pa njëzet.
Sa trishtim, netëve pa gjumë, heshtja si lugat troket.

 

Më kot në mesnatë

Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej,
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

Bares përmes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.

E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,
Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg,
Po ty me qiriun në dorë nuk të shoh.

E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,
Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.
Do të desha që flakë e qiriut t’i mundë,
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.

 

Jargavan

Një botë me lot dhe gaz, që s’kthehet më.
Një përshkënditje sysh, e lodrat lamë mënjanë.
Atëherë më hyre ti në zemër, e mbete përgjithnjë, 
Seç kundërmonte nata, jargavan.

Ç’më dehe me aromë e nuk më zihej vënd.
Më ngjante mendja det, i shurdhët mbi divan.
E ledhatonte heshtur hëna, me rreze, trupin tënd
Dhe nata kundërmonte jargavan.

Në botën tonë të ftohtë veç ëndrrat patëm zjarr.
Ndaj udhëve pafund gjithmonë i mbajtëm pranë.
Dhe erdh një kohë, betimin tonë e ngritën në altar,
Seç kundërmonte nata, jargavan.

E përqafimi yt, si në një film pa zë,
Më kot seç turfullonte larg një spiker fjalaman.
E ledhatonte hëna supin tënd e ngjitur ish në ‘të
Dhe nata kundërmonte jargavan.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s