INKUIZICIONI / Tregim nga Mihallaq Qilleri

I N K U I Z I C I O N I

Tregim nga Mihallaq Qilleri

– Këtu, – tha njeriu me fytyrë idioti duke më treguar derën e spitalit. Gjithçka aty ishte e pistë. Lulet e vjetra ishin pluhurosur deri në rrënjë, ndërsa asfalti mezi dallohej nga balta. Ndoshta për shkak të atij shiu që kishte rënë parëmbrëmë.
Te dera druajta. Emri i saj, i përsëritur aq e aq herë nën një trysni përfytyrimesh absurde, – sidomos gjithë pasditen e kaluar kur mora vendimin për të udhëtuar, – tani u shua. Madje i harrova edhe mbiemrin.
Kjo e gjitha vinte nga që ne ishim njohur vetëm në disa orë. Te një stacion treni. Ajo më qe lutur atë ditë t’i kisha kujdes plaçkat, apo në se jo, t’i prisja një biletë në sportelin gjithë njerëz. Parapëlqeva me një farë bezdie të parën. Ishte një grua e bukur, nga ato që të dyzetat u japin shkëlqimin e fundit të jetës, por gjithsesi pakëz hundëpërpjetë. Dikur duhej të ishte një miss, siç shprehen rëndom djemtë e sotëm… Pastaj ne udhëtuam së bashku. Më tha se ishte mjeke, ndërsa unë i tregova se isha piktor. Për fat të keq nuk shkonim të dy deri në Tiranë. Unë diku duhej të zbrisja më parë. Kjo na ndau pas vetëm tri orësh udhëtimi….

– Ke fletëhyrje ? – më pyeti portieri në derën kryesore kur më pa të sillesha aty pari me synimin të hyja brenda si hajdut.
– Jo, – i thashë prerë duke lëvizur me nervozizëm sa para – prapa një dosje ku mbaja tri-katër vizatime e po aq fletë të bardha.
– Kërkon njeri ?
– Esperanca Deçkën, – thashë me shpejtësi sikur të kisha frikë se mos i harroja përsëri mbiemrin.
Roja më vështroi ngeshëm. Edhe unë nuk ia ndava sytë. Duhej të shtiresha për trimosh, ose si ndonjë i ardhur nga Tirana për arsye të..
Kur unë prisja kundërshtimin ai liroi krahun nga dera kryesore. Hyra. Korridori i spitalit ishte si një galeri e nëndheshme. Pa dritare, me drita të fikura. Diku në thellësi binte një kuadrat i bardhë drite që buronte si nga ferri. Një erë klori kundërmonte rëndshëm. Ajo më kishte thënë dikur se punonte në laborator dhe unë duhej ta gjeja pikërisht aty.
@- Në tren Esperanza më kapi befasisht duke vizatuar portretin e saj. Në të vërtetë kisha vendosur ta skicoja disi fshehurazi, sepse ajo grua mund të protestonte për guximin tim, ndonëse në atë kompartiment të ngushtë ishte e pamundur të shpëtoje. Binte në sy edhe fluturimi i një mize. Vura re se fytyra e saj pësoi një tronditje të befasishme kur pa kokën e vet të përkryer të lëkundej nën majën e lapsit tim. Nga që ajo i kishte flokët të mbledhura fort nga pas, me një limim të përkryer, unë fantazova një kaçurelth t’i varej mbi tëmthin e djathtë. Kjo ishte shpikja, ky ishte detaji që e shpërfytyronte, por që e bënte njëherësh më çapkëne. Ky përfytyrim ishte brenda kapriçion time se pas perdes së padepërtueshme të femrës diçka mund të lexohej. Natyrisht një shpresë… Dhe vërtetë.. E ndjeva se ky kaçurelth, me sa dukej, i kujtoi asaj diçka nga rinia, apo një mendim fantazmë për ta korrigjuar krehjen të nesërmen në mëngjes, në mos që atë mbrëmje. Isha afruar aq shumë pranë saj sa, doemos, i ndjeja feminitetin. Ajo e kapi këtë magji që po më asfiksonte dhe ngriti kokën e më pa më nga afër. Nuk e di se si i ngjava, por disa minuta më pas, kur në një stacion province hyri në kompartiment një pasagjer, ajo u duk se u bezdis. Kjo u pa hapur. Befas ky njeri i panjohur sikur i kishte dhënë bisedës dhe intimitetit tonë një peshë më të dukshme sepse na dha mundësinë të flisnim me zë të ulët, të afroheshim si pa kuptuar në pozicionin e parë dhe të ndjenim atë magji që tani kishte fituar pole të acartë. Midis nesh skica e portretit të saj dhe ai kaçurelth që përdridhej si vidë në mendimet tona…
@ – Këtej shkohet për në laborator ? – pyeta një të sëmurë veshur me ca pizhame të tejkonsumuara, me rripat e xhaketës që i vareshin kuturu, e me ca pantofla meshini të shtrembra në këmbë.
– Ngjit tri shkallë dhe te xhamat përballë ka një derë…
Iku si i bezdisur nga gjithë ajo frazë. Ngjita vërtetë diçka si pus që të nxirrte në dritë. Shkallë të përdredhura…Pastaj edhe vet drita që binte poshtë ngjante aq e dyshimtë..
Atje ku u gjenda gjithçka ngjante e hareshme. Boja e bardhë ishte përdorur pa kursim dhe pllakat e dyshemesë shndritnin. Dera prej xhami kishte nga brenda një lloj perde garze pothuajse të tejdukshme. Unë nxitova në atë pikë të globit si drejt parajsës..
– Kini fëmijë ? – kisha pyetur unë aq pa pritur duke ndjerë frymëmarrjen e saj të më përplasej në fytyrë. Ishte pyetja më idiote që mund të bëhej atë çast. Një rikujtim i fëmijëve do të thoshte kthim në besnikërinë bashkëshortore. Por pas një ndërkohe sekondëshe ajo tha se kishte dy. Një djalë e një vajzë… Po ti ? Edhe unë dy vajza.. Keni mbaruar… Institutin e Lartë të Arteve. Një ekspozitë. Vetëm një. Nja dy punë nudo që i mbaj të fshehura në shtëpi..Fjala nudo ishte thënë jo aq me pëshpëritje si të gjitha fjalët e tjera. Por pasagjerit të strukur në cepin e tij, ndonëse e dëgjoi, nuk iu drodh asnjë muskul. Vendosa të luaja kartën e pikturave nudo. Intimiteti i bisedës me një femër të sapo njohur nuk mund të ketë caqe më të ngushta. Po më tërhiqte aq tepër ajo grua sa ndjeva se rashë befas në kthetrat e një ndjesie të lehtë e drithëruese. Kishte sy të qeshur, përshkënditës, jo aq të mëdhenj, por sfidues. Nisa të thosha shpejtë diçka për pikturën mediokre, temë që e ndjeva se bëri për vete. Nuk e di përse po atë çast mendova se gratë e shkolluara e që lexojnë letërsi janë më shumë të prira ndaj së ndaluarës…
Nuk kisha folur kurrë aq gjatë. Diku pushova. Ajo vazhdonte të më shihte ngeshëm dhe unë e ndjeva se nuk qe bezdisur aspak nga të gjitha sa kisha thënë. Befas krahu im preku llërën e saj dhe trupin ma mbuluan mornica. Do të jepja gjithçka atë çast për të mësuar se ç’ndjeu ajo nga kjo përkitje. Papritur, në rrëzë të syrit të djathtë, aty ku ovalja e dritës takon me hundën, një hije e zeshkët, gati një vizë pa kuptim kishte mbirë atë kohë sikur të kishte qenë aty gjithë kohën, por unë nuk e kisha pikasur më parë. I mora skicën nga duart dhe rivendosa diçka pikërisht tek ai sy. Ajo u shty pak më tutje disi e nervozuar. Mua, që më kishte mbetur dora e majtë pikërisht atje, ndjeva se aty kishte mbetur edhe ngrohtësia e saj.
– Si vështroni kështu ?! – ia pat pak ashpër një minutë më vonë sikur donte t’i përvidhej diçkaje të harruar.
Ngriva. Nuk dija se si t’i përgjigjesha. Hija poshtë syrit sikur u zmadhua. Po bëhesha gati ta theksoja më shumë këtë detaj në vizatimin tim, kur ajo ktheu kokën nga dritarja. Gjithçka tani ishte kthyer në normalitet.
@ – Para xhamave të laboratorit prisja me një regëtim zemre si të isha një shkollar i parritur. Ndoshta ajo më kishte harruar krejt sepse në një bisedë telefonike të para një muaji kur, kushedi se përse, unë vendosa papritur ta takoja atë femër, ishte treguar aq e matur sa disa herë mu duk i kot ai udhëtim. Vetëm kur po bëhesha gati të mbyllja telefonin, me atë dëshpërim e trishtim që të ngjallin iluzione të humbura, ajo tha, befas, se kishte parë të botuar në një revistë njerën prej pikturave të mia. Nuk shtoi asgjë. As se i kishte pëlqyer, as se jo. Qe një nga ato punë që unë ia kisha përçmuar dikur në udhëtimin tonë me tren… Një arë me grurë në pikë të zhegut e në sfond një autokombajnë që nuk dija as vet se ç’djall priste. Piktura, veç, kishte shumë dritë. Gati-gati ndjeje vapën. Edhe tejpjekjen e grurit… Pra ky pohim telefonik kishte ndryshuar gjithçka në vendimin tim për të udhëtuar. Pastaj ajo jetonte në një qytet aq të rrallë për nga pejsazhet sa unë, edhe sikur të dështoja në dashuri, siç mendoja të ndodhte, do të sistemohesha në ndonjë hotel të dorës së dytë dhe do të pikturoja çdo ditë..
U duk deti. Unë duhej të zbrisja dhe nga çasti i pa shpjegueshëm i zemërimit të saj ne nuk ishim afruar asnjë gisht. Ajo më shumë kishte vështruar nga dritarja si për t’i dhënë fytyrës dritë, ndërsa më ngjante se tani që po ndaheshim gruas së panjohur i takonte të merrte një pamje serioze, të fshihte ndonjë dobësi në zërin e saj, madje, nga që llërën e majtë e kishte mbështjellë me pëllëmbën e djathtë, ngjante sikur donte ta eliminonte përfundimisht edhe atë përkitje të beftë si diçka që edhe unë duhej ta harroja.
Tipi që kishte hyrë në tren në stacionin provincial, me sa dukej do të zbriste edhe ai sepse doli në korridor para meje. Asnjë shpresë, asnjë premtim, asnjë të ardhme. Dhe të mendoje se po ikja si një llafazan që kisha llomotitur më shumë se ç’duhej, madje e kisha provokuar gruan me ndonjë vështrim të pjerrët.
– Epo.. – thashë duke u ngritur.
Ajo më pa nga poshtë dhe buzëqeshi lehtë me shumë mirësjellje. U ngrita dhe mora nga skara e plaçkave çantën time. E vendosa mbi sedilje. Letra e vizatimit me portretin e saj më kishte mbetur në dorë. Nxora dosjen..
– Dëgjoni, – tha ajo disi me nxitim pas shpinës sime, – po të doni ma falni mua atë vizatim. Le ta kem kujtim nga ky udhëtim..
– Kam frikë se do ta grisni sapo të riniset treni nga stacioni ku do të kem zbritur unë, – ia pata me një ndjenjë hakmarrje për shpërfilljen e saj.
– Nuk mund të gris vetveten, – ma ktheu po aq rrëmbyeshëm.- Sido që të jem..
Kjo frazë që kaloi ashtu, pa u ndjerë, do të bëhej më pas e gjithë vorbulla e mendimeve të mia. Ia zgjata vizatimin. Ajo tha faleminderit dhe nga që nuk dinte se ku ta vendoste e bëri tub me shumë kujdes.
– Ndoshta shihemi, – thashë ashtu kot.
– Ndoshta..
E pashë në sy. Atë kohë u ndje frenimi i trenit dhe ajo zhurmë gërryese e ferrotave.
– Sikur të vija edhe unë me ju deri në Tiranë ? – fola rrëmbyeshëm me një marrëzi aventurieri. Gëlltita një ndjenjë pikëllimi atë çast.
– Nuk do të fitonit asgjë më shumë se sa ky portret, – ma preu zymtueshëm. U ngrit, më zgjati dorën dhe buzëqeshi. – Ju artistët emocionoheni shpejt, por aq shpejt harroni, – vendosi ajo të më jepte një dackë. – Megjithatë, gjëra që ndodhin.Ikni tani..! – përfundoi me një zë ku ndihej këshilla por edhe vendosmëria.
Kuptova se po më ndiqte me shumë butësi. I zgjata dorën edhe unë. Ky takim duarsh sikur më ndihmoi të çlirohesha nga marrëzia.
– Mirupafshim ! – tha po aq butë.
Për fat, dera e daljes nga vagoni i trenit ishte pas dhe kur do të kaloja nëpër platformë do të mund ta shihja përsëri. Dhe vërtetë i pashë vetëm siluetën dhe një gjysmë syri. Fragmente që nuk tregonin asgjë.. Ajo sikur ta dinte këtë ishte shtyrë më thellë në sedilje. Nuk ngriti as kokën sikur unë tani të isha askushi..
@- Vendosa të trokisja. Pas tri-katër të tilla ndjeva se dera u hap ngadalë dhe një fytyrë sanitareje u shfaq atje. Nuk e di përse sapo më pa vuri gishtin e saj të tharë përmbi buzë sikur të më kërkonte të mos flisja me zë të lartë.
– Esperanzën, – thashë unë familjarisht sikur të ishim parë edhe herë tjetër.
– Kush e do ? – pyeti plak po aq ulët.
– Unë, – tregova veten.
– Prit..
Dera nuk u mbyll plotësisht. I gjithë ankthi im tani vërtitej skajeve të trurit sikur të donte të më çante kafkën. E dija se nëpër laboratore nuk lejohej hyrja dhe se ajo do të mund të dilte pakëz te dera, të më përshëndeste, të më thoshte se gëzohej që më shihte por nga që kishte një analizë në dorë, të cilën ia kërkonin urgjent,… nuk mund të bisedonte më gjatë me mua. Prandaj, mirupafshim ! Këtë skenë e kisha rrotulluar aq e aq herë në mendje. Ankthi zgjati tri-katër minuta.
U hap plotësisht kanati i derës. Ajo u shfaq para meje krejt e ndryshme nga sa e përfytyroja. Ai kaçurelth, të cilin unë e kisha fantazuar patjetër mbi portretin e saj nuk shihej gjëkundi. Përkundrazi. Flokët i kishte lëshuar dhe tani ngjante një grua tamam në moshën e saj. Bluza e bardhë ndriste nga pastëria dhe vonë, shumë vonë, do të kujtoja se ajo ditë qe e hënëe ajo e pat sjellë të sapo hekurosur nga shtëpia.
– Ju ?! – tha pa e fshehur habinë.
– Vetëm mos ikni, – ia pata unë me nxitim duke e kapur për krahu. – Sepse pastaj më duhet të vras veten.
– Në spital jemi, – ma ktheu pa u menduar aspak – dhe po të humbisni ca gjak do t’ua hedhim përsëri.
– Të hyj brenda? – pyeta.
– Ku?
– Aty ku punon ti..
– Këtu?
– Ëhë..
– Po nuk lejohet..
– As për ata që kanë nevojë të bëjnë analiza ?
– Ah, për ata po, – ma ktheu hareshëm pas një sekonde torturuese.
Hapi plotësisht derën ku kishim qëndruar dhe me zë të ulët më tregoi një tjetër pranë xhamerisë që ndante laboratorin nga korridori. Hyra atje si hajdut dhe e mbylla atë derë pas vetes. E dija se ajo do të vinte pas disa çastesh. Jo, nuk erdhi. U shqetësova. Aty qe një magazinë qelqurinash e preparatesh por gjithë dritë, megjithëse vura re se dritaret kishin sipër edhe perde të zeza kundër bombardimeve të mundshme. Kështu në pak sekonda aty dita bëhej natë dhe nata….. Më zuri syri një karrige të vjetër dhe vendosa të ulesha atje. Sepse e ndjeja veten të këputur. Nuk e di se sa zgjati kjo vetmi burgu. Papritur dera u hap dhe ajo hyri brenda. E mbylli me shpinë dhe qëndroi atje pa m’u afruar.
– Ti ke ardhur të bësh dashuri me mua, – tha ajo me një frymë dhe aq hapur sa unë u trondita. Një nënqeshje ironie iu përvijua buzëve. Unë ngrita shikimin pak më lartë për të parë në se ajo hije ishte ende nën syrin e saj të djathtë. Atje ishte. Madje shihej qartë.
– Po, – thashë unë. – Vërtet nuk e bëj dot një deklaratë dashurie tani, por dije se të kam kujtuar shpesh. Shumë shpesh. Nuk e di përse. Ndoshta për shkak të asaj prerje të vjetër që të ka mbetur nën sy. Po të ishte nga fëmijëria nuk do ta kishe të vështirë të ma tregoje qysh në tren.
Një ndjenjë paniku e pushtoi menjëherë sikur unë të kisha ardhur me një fletë arresti në dorë. Ngriti krahun dhe preku pa vetëdije plagën sikur të donte ta mbulonte.
– Ç’ rëndësi ka kjo për ty?! – tha shpërfillshëm. Ne kishim hequr dorë pa kuptuar nga mirësjellja e të sapo njohurve dhe tani flisnim sikur të dinim skutat e njëri-tjetrit.- Ti ke ardhur nga larg thjesht të shfrytëzosh mendjelehtësinë time sepse kështu më ke quajtur atë ditë në tren..
– Jo, – kundërshtova përbindshëm – Mos e thuaj atë fjalë, të lutem! Nuk mund të vija nga aq larg e të gjeja një femër mendjelehtë.. Ca më shumë kur kam grua në shtëpi.!
– Sapo e the se nuk është dashuri, – ironizoi ajo.
– Nuk është as kafshëri, – ia ktheva – Mendoja se do të gjeja një kaçurrel të varur, ashtu të përdredhur, që zbriste nga tëmthi nëpër faqe, kurse kjo hija këtu.. të ishte zhdukur..
Nuk m’u përgjigj. Duart vazhdonte t’i mbante pas kurrizit e të mbështetura te dera. Nuk e dija se ç’mendonte. Ndoshta sesi të më nxirrte jashtë pasi më kishte fshehur në një çast dobësie. U ngrita në këmbë. Bëra tri hapat që më ndanin nga ajo. Befas sikur ndjeva se ajo po tallej haptazi dhe ky ishte ndoshta kulmi i cinizmit. Nuk e kisha përfytyruar kurrë këtë pritje. Më qe dukur një grua e sjellshme, me kulturë dhe e shumta që mund të bënte ishte të më dëbonte me mirësjellje. Por ajo po heshtte. Heshtte sikur po mendohej në se duhej të thërriste ato çaste dikë që të më shqepte në dru e të më hidhnin përjashta si leckë. Kjo do të ishte shumë e rëndë.
Befas, çliroi duart nga passhpina.
– Takohemi diku mbasdite, – tha me shpejtësi sikur atë vendim të sapo e kishte marrë. – Në shtëpi nuk mund të të ftoj. Më prit midis orës pesë dhe gjashtë para hotel turizmit. Sa për të pirë një kafe.. Po nuk erdha mos shpreso më. Ik nesër dhe mos u duk më kurrë këtu..
Të gjitha këto i tha kokë ulur si një gjimnaziste e përskuqur. Unë bëra edhe hapin e fundit që më ndante nga ajo. I vura duart mbi supe duke u dridhur i tëri. I ngrita kokën. U pamë vetëm dy sekonda sy më sy. Pastaj ajo bëri një lëvizje të lehtë tulatje sikur të kishte frikë nga ajo që mund të ndodhte. E putha. . E putha lehtë.
Ajo nuk lëvizi as buzët. As afsh, as ndjenjë.. I preka lehtë atë vijë tërthore që i dukej në buzë pastaj tentova qe të ta puthja përsëri. Ajo vuri pëllëmbën midis.
– Mos, – tha shkurt. – Ik tani !
Nuk lëviza nga vendi. E dija se ajo nuk do të vinte pasdite. Sikundër nuk do të kishte asnjë pasdite. Për këtë tanimë isha krejt i sigurt. Ma thoshte gjithçka që shihja. Esperanza qe ftohur befasisht në mënyrën më të habitshme. Sikur t’i kishte shterur gjaku. Epruvetat e laboratorit të saj ndoshta ishin plotë me lëngun njerëzor më të bukur, ndërsa ajo vet i ngjante një kufome që po jepte shpirt, pas një dere që mund të hapej nga çasti në çast. Tani mbetej vetëm të zhdukesha dhe në atë mjedis kobzi të uleshin perdet kundër bombardimeve. Nata do të dyndej pastaj atje si në një varr.
– Ma grisën portretin tënd, – tha befas ajo duke psherëtirë. – Oh, ik tani, ik ! – gati klithi kur ndjeu se buzët e mi ishin ngjeshur përsëri pas buzëve të saj jo thjesht për një epsh njerëzor, por për një dhimbje të befasishme nga pohimi i tmerrshëm.- Ik e mos hajde më! Ik në mos më duhet të çmendem !
– Yt shoq ta grisi ? – pyeta unë përmes psherëtimave.
– Jo, – tha vrullshëm ajo duke mbuluar fytyrën nga frika se mos e puthja përsëri.- Djali,… djali im !
Shtrëngova dosjen pas vetes si të ruhesha nga një kërcënim i ri. Një portret i saj i sajuar kohë më pas me fantazinë e një të marri do të mbetej përfundimisht aty brenda. Nuk kishte kuptim t’ia tregoja. Ajo ishte rrethuar nga inkuizitorë të tmerrshëm të cilët do t’ia grisnin përsëri. Për mua do të mbetej një përvijim i atij anthi të pa përshkruar dhe ndoshta fillimi i një tabloje si ato të El Grecos.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s