Poezi nga Petraq Risto / Shkëputur nga vëllimi i parë poetik ” Zjarre që rriten”

Poezi nga Petraq Risto

 

Dikur ndiqja taksitë

Fëmijë i shkathët taksitë ndiqja pas.
Taksitë e bardha e diela i ngjyente me të kuq buzësh,
i zbukuronte me karafila të kuq në kostume dhëndurësh.
Ndiqja pas taksitë dhe vishesha me një vello pluhuri
e duke qeshur uroja lumturi nuseve, dhëndurëve.
Ndiqja pas taksitë, zgjatesha të kapja karamele
dhe kapja sekretin e çdo të diele.

 

Ndjenja fëminore

Ja, nëna hapi deriçkën e drunjtë të oborrit
me çap të lehtë u bashkua me shoqet e shkollës…
Pas perdeve të dritares nënën shohim,
si në një spektakël të bukur: nëna mes dëborës.
Bie dëborë e nëna shkon në shkollë të natës
dhe ne fëmijëve na duket më i ngrohtë prushi në vatër…
Dhe përshëndesim ngadalë “Mirë ardhsh, nënë,
mirë ardhsh, nënë e dashur!”

Dëborë e butë, e butë,
sikur qielli imiton përkëdheljet e gjithë nënave…

 

Plakat

U mundova t’u bëja portretin plakave shqiptare,
të gjeja diellin që lind në rrudhat e balleve,
të shikoja djepet që lëkundeshin në shpirtin e tyre
dhe ninullat që buronin nga buzët e tyre.

Plakat më kalonin pranë me boshtet e drunjta
duke tjerrur dhe duke rritur lëmshin e viteve…
Dhe shikoja se kishte shumë mall
dhe shumë fjalë të urta në sytë e tyre.

U mundova të gërmoja në botën e plakave shqiptare…
E si mund t’i nxirrja të gjithë ato thesare:
përrallat që pikonin si hojet e mjaltit në verë,
urimet e bardha në ditët e dasmave të djemve dhe vajzave,
A mund t’i mblidhja vallë të gjitha menjëherë?

Dhe plakat më hynë në dhomë,
u ulën këmbëkryq në mindere e qilima,
dikush thithte duhan, dikush ëndërronte e qetë,
papritmas gjyshe Vita m’u fanit mes tyre:
“Mos u huto, nipçe, po bëna kafetë!…”

 

Dikur

Për të mbajtur shtëpinë me bukë
gjyshi i shiti të gjitha:
arën e vogël të ngrirë kallkan,
djepin e vjetër që rriste fëmijë,
sofrën e madhe (e ç’duhej sofra pa bukë!)…
Gjyshi shiti sëndukun, shiti rrobat e sëndukut,
shiti pesë vargje duhan,
shiti unazën e martesës,
një velenxë punuar në avlëmend;
shiti avlëmendin, shiti dy rrogoz punuar me mjeshtëri,
shiti pusin para shtëpisë
(ish një pus i thellë si dhembja e tij),
gjyshi i shiti të gjitha
për të blerë pak bukë,
vetëm dy gjëra nuk shiti kurrë:
nderin dhe pushkën.

 

Unë shkruaj

Unë shkruaj vjersha
më lapsat që nëna prodhon në fabrikë,
me letrën punuar nga duart e motrës,
mbështetur në tryezën e bërë nga babai
Kur kthehen pas punës në shtëpi
dhe nëna, dhe motra, dhe babai
dëgjojnë si mban ritmin zëri im.
Dhe shpirti i nënës gëzohet për lapsat,
gëzohen sytë e motrës për letrën
dhe zemra e babait gëzohet për tryezën.

Ndaj atyre u takon kjo vjershë.

Shkëputur nga vëllimi i parë poetik ” Zjarre që rriten”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s