Etyd – Një zog në Ründeroth / Nga Flutura Açka

Një zog në Ründeroth

Etyd

Muret e kësaj shtëpie, jashtë e brenda, janë të bardhë e të fashuar sipas një dizajni të shpikur qyshkur nisi jeta e këtij kulmi në kreshtën e kodrinës, me trarë të drunjtë të errët. E gjelbërta përtej merr format e lugëta e të nojmëta të kodërzave, kodrinëzave, të pjerrinave të buta, që mbajnë shpesh mes lëndinave të mirosura bukur, shuqe shkurresh a pyjesh të vegjël. Këtu natyra ka patur mjaftueshëm pigment të gjelbërt, por edhe të hirtë, një kith i hollë që bie brymët mëngjeseve. Dimrave, denduria e mjegullës duhet t’i mbulojë dukshëm rrugëzat dredhane kësaj ane, por unë nuk kam qenë dimrit këtej dhe vetëm pandeh me sindromin tim futurist.
Shtëpia është e lashtë, aq e vjetër sa Brigide, e zonja, do disa minuta të kthehet në kohën e të parëve të saj me rrëfimin. Kjo anë e shtëpisë është për ne bujtësit, që shpesh na mërzitet shtëpia jonë dhe duam të shëtisim nëpër privatësinë e të tjerëve që e kanë nxjerrë atë në shitje. Fundja bota po bëhet më e varfër dhe kërkesat tona gjithnjë dhe më të pasura.
Ngjitur me të vjetrën, që mban në hyrje edhe një pllakëz qelqi mbi historinë e kësaj shtëpie për ata që u bie rruga atypari, ngrihet e reja. Shtëpitë lart, aty ku mbarojnë strehëzat, i lidh një tarracë e mbyllur me parete qelqi, që nga këtu ku jam ulur në oborr, duken mat nga zbehtësia e diellit. Ca stringla varen në parmakët e ndarëses, si dhe ca shirita blu, arsyen e të cilave nuk e kuptoj. Por ngaqë aty nuk kam kureshtje të merrem me gjëra jashtë thurimës së kureshtjes sime, dhe ngaqë preferoj që Brigide të mos kthehet sërish nëpër etapat e historisë së familjes së saj, e kaloj.
Bujtësja ikën. Një copë herë vjen dielli, pastaj kujtohet një si farë bryme, zogj që çurkëlojnë marramenthi nëpër hapësirë, fletë që shkunden nga degët sa herë kjo rrëmujë zogjsh i çatrafilon pemët, andej nga pasditja zë këngën edhe një lloj ere që ka po atë përdredhje si relievi dhe i rrethon me shtjella të vogla ajri pyellishtet rrotull. Shpesh ka paqe, gjithnaja që bën atë botë të vogël në Ründeroth, mpihet. Unë ul librin në gjunjë, mbyll sytë dhe bie në fash. Në kafkë kam një botë paralele po aq të madhe sa bota ku marr frymë, aty mund të hyj pa frikën e shpejtësisë, pa rrypa sigurimi, pa lejëkalim. Vetëharrim, quhet. Ka heshtje shumë aty.
“Brram!” Një zhurmë e fortë kris nirvanën time. Pak metra më tutje një zog përpëlitet mbi bar, edhe zemra ime si ai zog përpëlitet n’aritmi. Afrohem, zogu nuk lëviz më. A ta prek apo ta le të qetë në frymën e fundit? Në jermin e tij, të patrazuar nga dhuna ime, e njeriut që beson se ka fuqi të ndryshojë fatet. Ulem në gjunjë dhe e di që pamja ime ato çaste ka fytyrën e Marisë, por gjoksi rrëmujën e tunikës së saj. Të Marisë tripërmasore të La Pietá.
Një dorë zgjatet dhe e ngre zogun, thotë diçka dhe shkon me hapa të nxituar ta hedhë diku në thurimën e drunjtë që ndan lëndinat e saj me të kodrës fqinjë, anës arave. “Kjo ndodh shpesh,” thotë bujtësja, “nga nxitimi zogjtë nuk e shohin qelqin e verandës dhe përplasen, as ato shiritat blu nuk bëjnë punë.” Nuk e shohin! Zëri i saj është i qetë, pa nuanca keqardhjeje.
Nuk shohin, plotësoj unë, janë të verbër nga liria që u jep ajri, fluturimi, mbase rinia. Deri kur gjëja e ftohtë ku përplasen fatalisht, nuk i mëshiron më. Ngrihem, anohem, nuk di ku të mbahem, ku të ulem, as bari ku tani diku prehet zogu, nuk më pranon më me kaq trazim. Një “brram” i paprerë ritmon në trurin tim, që tani është një metronom impulsesh tejetësore. Kujtoj vogëlushin e romanit “Black boy” që kam në duar, zhurma e maces së vdekur që u plandos në natë, nuk do t’i shqitet gjithë jetën.
Hap librin, Brigide hap dyert e shtëpisë të ajroset, qielli hapet për një hare të re diellore, pemët çlirojnë degët nga një fryllim i ri ere. Vetëm unë ngrij, si gur. Mbase edhe zogu, se ku.

 

Nga: Flutura Açka

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s