Poezi nga Bilall Maliqi
FJALË E PADALË
Më ngeli në fyt një fjalë
S’ mund ta qes as s’mund ta përpij
Fjalë që më ngushëllon dhe mërzi më shton
Aty qëndron që sa kohë
E strukur në një kthinë të fytit tim të tharë
Fjalë që mirësi rrezaton të keqen e sulmon
Në motet e ikura (të nxira)
Dridhej përbrenda si thupra në ujë e nuk doli
Kjo fjalë e shkruar në brendinë e shpirtit tim.
IKËT…
Ikët pa i pyetur brigjet
As ato kodra që s’i vijëzon dot syri
As kopshtet e luluara ngjyrash
Pa i pyetur varret
Në ato tuma të ëndrrave harrestare
Ato skelete që nëndheshëm i kapë dëshpërimi
Pa e pyetur as vegjëlinë
Duke i lënë çiftelitë të paakorduara
Varur në murë me baskia të dryshkura
Ikët duke i parë lotët e nënave
Që shpojnë tejpërtej rrasën e qëndresës
E të nuseve shamikuqe që (s’e) presin kthimin
(Ju) ikët autostradave të përhitura
Me vizë bardha të shkëputura të shpirtit
Drejt portës së perëndimit të perënduar.
TROKITJE NË PORTËN E FSHEHUR
E di udhën deri te porta e fshehur
Atë rrugë e di veç unë
Ti nuk e di çastin kur unë trokas
Me dorën e dridhur në portën e vjetër
Ti pret që të dëftohem në ëndërr
Si një hije e padukshme nate
Të dridhurat e gjetheve vjeshtake
Të mbajnë pip në këmbë
S’ka asnjë zë veç një erë e trazuar
Fishkëllen e mbyt monotoninë
S’di nga u dëgjua kjo trokitje e lehtë
Për t’u hapur deriçka e ëndrrës së zgjuar.