Poezi nga Arjola Zadrima
Nesër
Jam mendu për krejt ” nesër”
që pata,
për çdo nesër që nuk mbërriti kurrë
në stacionin tem,
për çdo nesër që nuk zbardhi e më zbardhi.
Për ato nesër që mbërriten sot.
Kam mendu edhe për ty,
që ndoshta tash po të due deri
nesër…
Por mos më beso,
unë vdes për të sotmen,
çdo plasje e buzës teme quhet “tash”.
***
Ka net
ku gjithçka digjet,
as mishi jem nuk ka shpëtim.
Por s’kam nji oxhak
ku me i përzie këto gaca të unshme.
Nuk kam një TI prej Ferri
sa me përzhit shpirtin.
***
Ka kohë që artikulojmë
të njëjtën heshtje,
më sy kotësie mbushin qiellin
dhe me përtesë zbulojmë diellin
mbas grilash.
Përballë ngjajmë dy pasqyra
pa asnjë imazh.
bash në këtë çast
ndjej të thyhem,
e prej vranësinës gërryhem deri në asht.
Ndër copëza qielli
shpërndaj zemrën,
antitezën e boshësisë tande.