Mbi romanin “STATUJA” të Myslim Pashës dhe disa fragmente / Përshtypje nga Bardhyl Selimi

Posted on August 9, 2019

0


Mbi romanin “STATUJA” të Myslim Pashës

Myslim Pashën e kam pasë shok klase, kur studioja në shkollën e mesme “Skënderbej” në Tiranë, gjatë periudhës gusht 1959 – dhjetor 1961. Nga ajo kohë mbaj mend se ai kish një dhunti të vërtetë letrare. Jeta na drejtoi në mjedise të tjera studimi e pune. Ai vijoi jetën e ushtarakut, studioi për ingjinieri në universitet, shërbeu në sektorin e hartografisë e më gjerë, u doktorua, ligjëroi për studentët. Natyrisht, krijoi familjen e tij të shëndoshë. Lumturisht, njëri djalë i tij, Auroni, studioi në gjimnaz bashkë me djalin tim, Gentianin dhe të dy e ruajnë miqësinë edhe sot familiarisht.

Pas viteve 2000, Myslimi dallohet edhe si veprimtar i Shoqërisë Civile, në mbrojtje të interesave kombëtare. Shkurt, Myslimi ka një të kaluar e një të tashme të lakmueshme, gjë që më krenon edhe mua si shok i tij! Përvjetorët e shkollës “Skënderbej”, çdo 28 mars, na kanë bashkuar disa herë.

Romani “Statuja” i shkruar nga Myslimi, që ma dhuroi ai vetë para ca kohe, më ka lënë pa mend. Jo sepse  është vepër e shokut tim, por sepse zbulova në të shumë vlera artistike, ideore, kulturore, shumë vërtetësi, me shumë elementë jetësorë nga jeta e tij vetë. Me siguri, autori ka kohë që e ka bluar temën në fjalë para se ta shtjellonte atë kaq përsosshmërisht dhe denjësisht në një moshë mbi 70 vjeçare sikurse jemi ne sot.

Në roman vinë kumte nga e kaluara historike dhe politike e popullit tonë dhe ajo e Myzeqesë e Mallakastrës në veçanti, pasqyrohet mendësia dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve, në veçanti e fshatarëve të asaj treve, nëndialekti i pasur, regjimi totalitar i instaluar pas luftës së dytë botërore dhe përpjekjet e tij për krijimin e “njeriut të ri”, besnik e i nënshtruar ndaj Partisë dhe udhëheqësit të saj, shumë i ndryshëm nga tipi tradicional i shqiptarit, sikurse e kanë parë dhe vlerësuar edhe të huajt.

Përmbajtja e librit shkurt është si vijon:

Një oficer topograf, Erson Pirgu, ngarkohet të japë mendimin e vet për një hartë të rilevuar të lulishtes së një qytetthi, në qendër të së cilës ishte një statujë e udhëheqësit, ku simboli i statujës ishte zevëndësuar me atë të një varri të vetmuar. Në atë regjim ky ishte një provokim i rrezikshëm për pushtetin, që do t’i kushtonte rëndë hartuesit Ugo Tome dhe jetën kontrolluesit të parë, Sul Kërlukes dhe do ta vinte në pozitë të vështirë vetë komandën e detashmentit të topografëve. Ersoni nis një romancë dashurie me Hera Muzakën, një mësuese e re, me prejardhje nga Muzakajt e famshëm, për të cilët mësuesi i historisë, me prejardhje nga Kosova, Gjon Lkunda, po përgatistë një tezë shkencore. Ky i fundit, I arratisur nga Kosova, ishte keqtrajtuar si gjithë të ikurit e tjerë, pastaj ishte detyruar të bashkëpunonte me Sigurimin, por, në fund, u likuidua po nga shteti shqiptar. Vetë Ersoni i shpëtoi përndjekjes, pasi u gjet i përshtatshëm të dërgohej si zbulues në ish Bashkimin Sovjetik, pasi iu improvizua një vdekje “aksidentale” në krye të detyrës, pastaj edhe varrimi si “dëshmor”, ndërsa Hera, e cila sapo ishte martuar me të, e priti disa vjet. Pas 1991, Ersoni rikthehet në atdhe, tepër i lodhur dhe i shpërfytyruar, me shpresën për t’u ribashkuar më gruan, me të cilën ende nuk kish mundur të konsumone as martesën..Ndërkaq, në atdhe ndodhën ndryshime politike, ku në proceset demokratike u kyçën pa problem edhe ish eksponentët e diktaturës komuniste..

Mund të them që romani është tërheqës jo vetëm për ne që e kemi përjetuar atë kohë por edhe për të huajt, prandaj shpresojmë që së shpejti ai të përkthehet edhe në gjuhë të tjera. Për mendimin tim, stili, mjetët shprehëse, fuqia artistike dhe simbolika e përdour në këtë roman mund të përqaset me ato të krijuara nga penat e njohura shqipe si Kadareja, Kongoli, Aliçka etj.

Vlerat e romanit ia ka shtuar, padyshim, edhe redaktimi letrar nga ana e zonjës Dhurata Agalliu, që na ka dhënë një shqipe drejtshkrimore tepër të saktë.

 

Ja disa fragmente të nxjerra nga romani

f.12

“E arrestuan të shkretin, këtu tek Ura e Shenjtorit! Po pse vallë? E kisha shok, mësues nga Kosova, jeton në Dimal”, tha një mësues.

f.13

Gjon Lkunda

“Unë jam studiues historie dhe po merrem me zbritjen e Muzakajve në fushë. Mes të tjerash, më ka dalë edhe toponimi ‘Korkutas’.” Vajzat panë njëra-tjetrën, pasi nuk ia kishin ngenë studimeve të tij; ishin aq të lodhura, kurse ai nuk po ndahej. “Lum e lum për t’lumin Zot!- shpërtheu.- M’falni, se nuk ka Zot! Po mua më lejohet, se jam kosovar. Cila është ajo energji orientuese që më njohu sot me ju, që e paskeni mbiemrin ‘Muzak’!?”

f.16

Arrestimi i kolonel Dilaver Radeshit

Koloneli po përfytyronte mënyrën se si do të arrestohej. U lirua rreshti dhe dolën në pah karriget që ishin mbushur me oficerë të Inteligjencës. Para se  të hynte, Ersoni kishte njohur Sigmin, drejtorin e Sigurimit të Ushtrisë. Frymët lëvrinin në tavanin e ngjyrosur me bojë hiri: “Ah!”, ia bëri koloneli. “Në emër të Popullit, je i arrestuar!” Në kohën kur ai, siç u dëgjua donte të thoshte “Të cilit popull?”, ushtaraku i dytë ia mbylli gojën.

f.20

Sul Kërluku për hartën e rilevimit të Ugo Tomës

“Shenja konvencionale e statujës së shokut Enver  ishte zëvendësuar me shenjën konvencionale të varrit të vetmuar,  . Kaq!”

f.23

Sul Kërluku vdiq në mëngjes herët. Ai vuante nga zemra, që shoqërohej edhe me probleme të hershme psikike.

f.47

Gjon Lkunda

Gjoni nuk kishte folur asgjë me Arhondin për historinë fatale të tij dhe se si kishte shpëtuar nga kthetrat e Sigurimit, për gati një vit, kur ishte trajtuar si agjent i UDB-së dhe si shkak ishte bërë kapja në kufi dhe hulumtimi pasionant i tij. Ai ishte bërë tani pjesë e Sigurimit dhe ishte kyçur në vetvete, me kusht që një ditë do të shpëtonte dhe do të kthehej në Gjakovë. Arhondi, që ishte edhe ai bashkëpunëtor i Sigurimit, po që askush nuk e dinte, e kishte rregulluar që ky takim të bëhej për të tre, dhe kjo ishte realizuar.

  1. 49

Nexhmija (Hoxha, Xhuglini)

E takoi Atë për herë të parë e së bashku e ndoqi afër frymës dhe sharmit të tij goditës, në të njëjtën biçikletë dhe në të njëjtën odë, pranë njëri-tjetrit. Ishte aq e re, kur gratë në Tiranë qenë pothuajse të mbuluara me ferexhe, ndërsa ajo me shportën dhe bohçen me armë kalonte nga ura në urë, nga muri në mur, deri në qafa malesh. U bashkua me njeriun që ia mbushi syrin se ai do të ishte udhëheqësi, e kjo intuitë nuk ishte e pakët. Pas disa muajsh, ajo s’po pozicionohej  më në skuadrat partizane të zjarrit, por merrej me mbledhje edukimi dhe hartim urdhrash, me rrahje mendimesh për kodet e fshehta “Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, pa lënë gur varri”. E kjo i erdhi si prej fonetikës së kukuvajkës. S’po e merrte dot veten. Vinin e zbuloheshin ngjarje që ajo s’kishte dashur kurrë t’i nëpërmendte. “Moslënien e gurit të varrit, me humbjen e eshtrave” të atyre që në valën e luftës po eliminoheshin. I fluturoi parasysh ajo bisedë e shpejtë, kur dikush kishte  rrëfyer heroizmin, teksa Anastas Lulon e çuan buzë gropës në një mezhdë, me fytyrë nga lindja. Breshëria, dhe ai kishte rënë si i ngulur në tokë.

  1. 70

Ajo po zhvishej me frikë. Hodhi bluzën e verdhë, pastaj fundin. E frikësuar nga sjellja e errësirës, megjithëse  brenda në dhomë, e uli mjekrën për ta drejtuar shikimin e butë, po aq me kureshti, në gjysmë lakuriqësinë e bukur të saj; por, po kaq e turpëruar me veten. Ishte e tëra e vetvetes dhe e askujt. Këtu brenda në gjysmë terr, ajo perceptoi një dritë të fshehtë. Ngriti pa dashje dorën e djathtë në hepimin e gjoksit, preku thithat, duke ndjerë një lajthim sa t’ia bënte “Ah!”, sikur të mos i kishte prekur e ndjerë kurrë. Me dorën e majtë preku kërthizën, të cilën, po ashtu, sikur po e shihte mu atë çast. Dridhej nga një skenë, të cilën ajo e  konsideronte si fundin e një shpelle të errët. Mblodhi gjunjët dhe muskujt, sikur të bëhej gati të kapërcente kaluçin në orën e fizkulturës. Zgjati duart për të marrë fundin myzeqar, pastaj çorapet e gjata me xhufka. I veshi shpejt. Kostumi ishte i thjeshtë, i bardhë me vija të kuqe, fundi trapezant, me belin si bazë e vogël, me

vijat e kuqe që dilnin anash. Ishte një bluzë e hollë, e qëndisur në grykë dhe në jakëz, si të pikturuara ngjyrë mjalti dhe sipër një jelek i lehtë.

  1. 85

Enver Hoxha në bisedë me Ramiz Alinë

Enver Hoxha: “Kujt i janë dhënë këto koordinata? Dhe para se të largohesh, dua të them se a e shikon vallë se si na janë qepur edhe nga Dheu, edhe nga Qielli, edhe nga Deti. Ajo që më mundon shumë, Ramiz, është mosbesimi te vetja jonë. Këta që kemi rrotull, gjeneralët, ministrat, kryetarët, sekretarët që ishin morracakë, i kemi ngritur ne nga pluhuri dhe baltovina. U është rritur hunda dhe  hunda nuk i lë të kullosin bar! Ne i kemi dehur me pushtet, tani janë shndërruar në gjarpërinj të rrezikshëm, duan të na hanë! Po bashkohen me klasat e përmbysura, po ne do t’ua ndreqim samarin. Do t’ua presim gjuhën, do…”

  1. 86

Enveri

“Revolucioni do t’ua humbasë edhe varret. Jo Partia! Është vetë Revolucioni që ha mbarë e mbrapshtë tradhtarët. Meqë ra fjala edhe për  varret, shikoni të planëzoni për të miratuar edhe një ligj të veçantë, lidhur me “humbjen e varreve, si dhe standarde revolucionare për t’ua mohuar varrin  kundërshtarëve.”

f.90

Hera Muzaka

“A ke sy për të shikuar dhe a ke zemër për të ndjerë gjakun që lëvrin në vena? A ke frymë për të përcjellë? Ajo ta ka besuar gjithçka nga universi i  saj i dashurisë, si në një përfalje të shenjtë, dhe ti nuk paske sy për të shikuar”, mendonte ajo.

  1. 95

Letër dashurie

“Të mirës i thashë ‘e keqe’/Dimalit i thashë ‘Jerusalem’/Shpresës i thashë melhem/Dritës i thashë hije/Atë që është sipër e çova poshtë/Kur do të fillojë vallë/ numërimi në të kundërt i akrepave të sahatit?/Për jetë me ty! Pa ty, pa jetë!”

Letra vjen nga Mjegullnaja e Andromedës. Këtë letër grise, se unë jam i grisur!

f.102

Kolektivi donte kokë njeriu dhe kokë të mirë, jo dosido. Ata turfullonin, ku e kishin gjetur gjithë atë ligësi dhe urrejtje ndaj Ersonit, të cilit gjer sot nuk  i kishin thënë as gjysmë fjale?! Mirëpo ja që erdhi momenti dhe ai erupsion ishte gatuar aty brenda, do ta nxirrte se s’bën atë energji, aq më tepër se ishin bërë disa vite që në detashment nuk ishin dukur koka armiqësore.

  1. 106

Ramizi Nexhmijes

Ramiz Alia: “S’të kam dëgjuar kurrë kështu, të ka cekur hapja dhe mbyllja  e varreve. Revolucioni i ka këto pasoja. Si do të bëhej Shqipëria e Re pa hapur  varre ?!”

  1. 107

Shoqja Xh.: “Kemi ndryshuar apo jemi ata, po të njëjtit? Mbrëmë, kur mendova se do të takoheshim bashkë, më janë shfaqur netët e agonive… Pandehma eee, ç’të jenë tjetër, se nuk ka vendimmarrje partie! Ajo breshërima e ngjarjes së Ambasadës Sovjetike… ku vallë i futëm? Po ata të Mirditës që s’dihet se ku humbën… armiq dhe bir armiqsh… pa varr… pa varr, po gropa të përbashkëta të hapura andej këndej… ai teneqexhiu, Koçi Xoxe… Të pa-varr janë sa e sa që u mori koka erë, se kërkonin të dilnin mbi Partinë, mbi statujën. E kupton Ramiz? Prandaj janë pa varr. A ta shpjegova mirë? Më është kujtuar një thënie e lashtë e Dibrës: U ngjitç e u ngjitç e në majë mos arritsh!”

f.111

Gjoni shkoi në zyrën e operativit në orën 10 të paradites. Ndjeu një shushatje dhe zbrazësi. Zhurmërima e një përfytyrimi tjetër i vinte rrotull. Angështia që i afrohej, në rastet kur e thërriste operativi, shoqërohej me një ndryshim dimensional. Kishte ikur bota e tij e dikurshme e studimeve në arkiva. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës ai ishte i kapur, i tredhur, i rrëzuar, i burgosur, i syrgjynosur… si në kohë të absurdit e të poshtërimit të ekzistencës.

  1. 123

Frymëmarrja e Herës ishte shtruar në një nivel që ajo rrallë e kishte ndjerë, në atë leqendi e cila kërkonte të gjente hapësirën e duhur të meditimit që takohej  për herë të parë, e shtrirë aq afër atij njeriu që e kishte sjellë gjer këtu. Këmbët e buta, mollëzat e gishtave të saj, gati ceknin jastëkun e Ersonit. Sipër trupit të saj  fërgëllues e të paprekur, në relievin intim të virgjërisë, po lëvizte e transmetohej një dialog i panjohur i shqisave të shpirtit. Erurina e bimëve, me aromën që buronte nga poret e lëkurës së Herës, po depërtonte butësisht tek Ersoni. Ai dëshironte të ndiqte atë ndijim që e thërriste në atë kërkim të këndellur, po gjithnjë të paarrirë. I lëvizte krahu për të nisur atë rrëshqitje të bukur, për të depërtuar në errësirën e mbulojës, gjersa të gjente e të prekte majat e gishtave të dorës së saj. Mollëzat gjetën njëra-tjetrën me habinë dhe kureshtinë e takimit. E panjohura e natës në kasollen e varfër kishte jetësuar një çast të rrallë, atë magjinë e valës bredhëse të shpirtit që ata kërkonin. Hera kishte pushtetin e bukur të saj, Ersoni varej nga ajo, as shtypje, as djallëzi, veçse prani e lirë dashurie që e kishin të dy, në atë çlodhje dhe meditim të rrallë.

  1. 145

Te hyrja ndalën për të parë një fletërrufe. Të dy u afruan  ta lexonin. “FLORA nuk është shqip! Kjo fletërrufe do të djegë çdo “Florë” që na  dërgon borgjezia! A dëgjoni apo jo, njerëz të varrosur! Komunistët nuk kanë “Florë”, por Flamuj të Kuq! Ta dini me të ditur! Mbushuni!”

Nga grupi i Kontrollit Punëtor e Fshatar

Kur ata po e lexonin për herë të dytë, erdhën dy persona, të cilët po  bëheshin gati që ta grisnin. “Pse!?”, pyeti Ersoni. “Shoku oficer dhe ti shoqe,  mos u shqetësoni! Ky është ekstremizëm, na mëson Marksizëm-Leninizmi.

Ç’të keqe mund të na sjellë kafe “Flora” apo kafe “Lulja”!”

  1. 158

Sytë e Herës dhe të Ersonit rrekeshin të ngriheshin për të parë shtresën e njerëzve të thjeshtë që quheshin kooperativistë, gati të paemër apo me emra gjysmë të shuar, tani dasmorë që, në errësirën e përbashkët, kur kandilat po faleshin, ata afroheshin te nusja dhe dhëndëri për t’i takuar, për t’u bindur nëse ishin në një dasmë të vërtetë apo jo. Ata të gjithë ishin pa fotografi, pa buste, nuk e dinin se ku  mund të ishte vendi i varrit të tyre, nuk dinin se ku ishin sinorët e dy gurëve të varreve të gjyshërve, atyre që rronin nën dhè mbuluar me rrënjë, ferra dhe driza, ashtu të sheshuar, të barazuar, gjithnjë të shtypur, sipër e poshtë, duke marrë frymë jeshile të përbashkët, hamendësoi Ersoni. Hera po mundohej ta thërrmonte ankthin, hijet ishin të ngrira, sytë e saj ishin ndezur, por kandilat ishin sërish të mekur.

  1. 163

Sytë e Herës u përqendruan te veshët e ngritur të kalit. U kujdes që të mbulonte gjunjët e zbuluar nga fluturimi i fustanit të bardhë. Shëmbëllimi  i Komnenës, atypari, sikur u zhduk, po iu fanit sërish, duke dalë përpara krushqve. Ajo fshiu edhe një herë sytë, sepse në krah të djathtë ishte një yrt varresh. Keçet nxorën orizin e fundit që e mbanin në futat e tyre dhe e breruan mbi kokën e nuses, mbi shalë të kalit, në veshët e tij dhe te lelet që tundeshin. Ersoni kishte në dorë frerin e kalit, do të ishte dhëndër dhe udhërrëfyes. Hera po shtrëngohej mbi kalë, duke u munduar të ruante drejtpeshimin e ri.

  1. 187

“Autori i punës hartografike, Ugo Tome, u dorëzua vetë drejt e në  burg, duke u vetë-prangosur me lot në faqe. Iu dha mundësia që të mos e vriste veten; vijon në

burg dhe burgosja e tij është pa lëndë dhe gjykim, vetëgjykim dhe vetëlëndim, ndofta i përjetshëm.

  1. 206

Fati inspekton jetët njerëzore dhe ngjan sikur s’e ka mendjen kur u bie në pjesë. Në të vërtetë, asnjëherë nuk është kuturu; fati e bën punën e vet pa iu dredhur qerpiku

f.211

Ishte fund shkurti dhe bënte ftohtë. Hera Muzaka kishte veshur një fëshfëshe ngjyrëmjalti, mbështjellë deri në gushë. Jaka e ngritur e xhaketës, si pjesë e rrobave të zeza që ajo nuk i kishte hequr asnjëherë, ia mbante erën që po i shkiste mbi flokë.  Zbriti nga autobusi  i vjetër dhe mori udhën për te qendra e Lugjallit. Kishte lënë pas Tiranën, ku kishte pllakosur çrregullimi i plotë. Një zhaurimë topitëse dhe mbytëse po i vinte nga rruga qendrore e qytetit. Grumbuj njerëzish të hutuar koloviteshin andej këndej; i vetmi vend ku donin të shkonin ishin dyqanet e bukës dhe të vajgurit, ende të pa furnizuara. Frika e përgjithshme ndihej në çdo skaj. Lajmet që vinin nga Europa Lindore e kryesisht nga Rumania kishin hapur udhët e përmbysjes. Sy të zgurdulluar nuk prisnin përgjigje, veçse provokonin sherr ashtu, kot së koti. Kruheshin pa pushim, sikur të ishte stinë epidemie. Flamujt e PD-sëdallonin mbi të tjerët. Shfrynte i tërë qyteti, dhe s’dihej nga se e përse. Zëra ulëritës dhe të shara, me nënë e motër dhe ç’të kapërcen  pragu i derës, vringëllinin.

f.213

“Ta rrëzojmë! Ta rrëzojmë!” U panë duar të ngritura lart dhe një litar kokla-kokla që vërvitej mbi turmë. “Ç’e duan atë litar?”, pyeti me vete. Pastaj dikush me çekan në dorë zuri të vrapojë. “Kush është ky, moj korbë!?”, tha njëra. “Koçua moj, si nuk e njohke, Sekretari i Rinisë!” Hera u përqendrua edhe më mirë. Ajo e njihte atë, e kishte takuar disa herë nëpër mbledhje të përbashkëta. Nuk po iu besonte syve, veçse diçka po i qartësohej. Në kafkën e bustit kishte rënë çekani, me një të krisur të thatë dhe kumbuese. Ajo po ndiqte zgjatjen e duarve dhe, me një kapërcim e sipër të shkallëve, doli për të  qenë sa më afër që ta shihte fundin. Ajo e pa litarin e bërë lak që fluturoi me  një hark eliptik mbi çekanin që godiste kafkën. Kështu laku i litarit gjeti qafën dhe aty u rehatua, megjithëse thyerja ia bëri shtrrap. Litari i hedhur mbahej nga duart e disa djemve. Ishte në kahe të perëndimit, pothuajse në atë vijë kur Erson Pirgu dhe Sigmi, shumë vjet më parë, hamendësonin se nga cili  krah kishte ardhur armiku që kishte hapur gropën e varrit të vetmuar ♀.  Hera po i ndër-këmbente figurat me turmën e marrosur. Busti ishte shqitur  dhe rrëzuar. Ata po mundoheshin të gjenin dhoga e petavra për ta mbajtur në krahë. Po një zë vëngoi nga Semani i Vdekur: “Tërhiqeni zvarrë!”. Dhe ashtu filloi zvarritja nën ulërimë komunistësh që ishin thirrur për ta mbrojtur.

f.214

Policët bënë sikur do ta pengonin, lëvizën duar e këmbë dhe folën me zë të lartë, kinse duke kërcënuar, por u larguan. Një urdhër i dytë i ktheu dhe ata filluan goditjet me shkopinj gome e më pas duke gjuajtur me plumba plastikë. Hera u kthye pas, për të mos e parë skenën. Statuja që po zvarritej, edhe pse kryegjalli kishte vdekur vite më parë, ishte qendra e koordinatave dhe hartës së fatit të saj dhe atij të Ersonit. “Kush është ai që përdori çekanin?”, pyeti. “Dale, dale moj motër, ai është një oficer i lartë i Sigurimit të Ushtrisë, i liruar para një viti”, tha ai dhe e la Herën  të gërmonte kujtesën. Ersoni i kishte folur disa herë, kur ethet e përndjekjes po e pështjellonin: “Sigmi më është qepur”, kujtoi ajo. Statuja kafkë-thyer, si një skulpturë surreale, hapte boshllëkun e kokës së ndarë, ekspozuar nga drejtimi i teatrit “Bylis” si një vrimë e zezë.

f.221

Po kthehej pa asnjë emocion heroik,  pa asnjë ngadhënjim. I gjithë misioni i tij tani kishte lidhje me Herën dhe me askënd tjetër; informacionet zbulimore, për të cilat kishte punuar, ishin vetëm  kushte, me të cilat ai ushqente rrjedhën e pakapshme të kohës që kishte ikur,  atë të mbeturën në vendin e tij, që s’kishte rrënjë tjetër, veçse çastin e parë kur kishte kapur regëtimën e një ndjesie të panjohur, dashurinë për Herën, të gjetur atje, afër gurëve ciklopikë të Dimalit. Se ç’ishte zhvilluar më vonë,  s’i dihej se si mund ta kishte trajtën. Ardhja do të thoshte dalje nga sinori i vdekjes, për të ritakuar Jetën. E gjitha ç’po ndodhte ishte e pabesueshme, por ama një përrallë e bukur. Kjo e ngushëllonte në këtë kthim, se vetë jeta e ka ngjizjen e parë te përralla.

  1. 226

“Sa herë më ka ndodhur që t’i bie me kokë varrit të mbuluar me stranica, për të hequr dheun e rëndë, për të parë se  ç’kisha lënë këtu pas. Nuk mendova kurrë se kisha vdekur, por fakti se ti ishe nisur për të më varrosur, duke bërë lojën e legjendës, qenia jote më kontrollonte, unë isha futur ndër-teje. Kështu të kam kuptuar këto vite të ikur, se burri jeton te gruaja, te dashuria. Ja, ky është miti i vërtetë ! ”, i shpjegonte ai, në ëndërr Herës, ashtu, gjysma-gjysma

f.231

Hera po ndiqte shefin e një grupi njerëzish që sapo mbërritën me  autobus. Ku e kishte parë atë njeri? “Është po ai që kam dyshuar në mitingje të Partisë Demokratike, Maksut Bigorri i Drejtorisë së Njerëzve të Rinj.” U shkëput për t’u afruar. Nga autobusi dilnin vajza e gra të prushitura nga një miting, dhe kishin zbritur këtu nën urdhrat e tij. Ai u ul në një gur dhe nxori një dosje ngjyrë blu, për të hedhur shënime. Sapo e pa Herën, u mrrol. Ishte takuar edhe herë të tjera në zhvillimet demokratike, duke u interesuar të dinte se ç’bëhej, me fatin e heroinës. Ai ngriti kokën e iu drejtua me një zë të butë dhe joshës. “Hera Muzaka, sa të ka zbukuruar demokracia!” Ajo ishte gati t’i  hidhej sipër si gjeraqinë. E mblodhi veten;  mbylli dosjen.

f.232

Poshtë Manastirit ai kishte dëgjuar atë që s’i kish shkuar ndërmend…”Gatuanim njerëz të rinj dhe na dilnin kafshë të vjetra…” kish thënë në ecje e sipër Maksut Bigorri që sapo ia kish mbathur…

f.236

. Të njëjtat qenie të kthyera përmbys, komunistë të zgjebosur, magazinierë të Njerëzve të Rinj, të burgosur të urtë që ngjanin si filozofë të duruar, heronj partizanë të hutuar, demokratë të helmatisur,  ShIK-as të përzier me Sigurimsa, kalecë të shndërruar, projektues bunkerësh  dhe tunelesh, oficerë të licencuar si imamë, stalinistë qaramanë, koçi-xoxistë,  hajdutë xhepash, tregtarë kurvash, mbledhës kanoçesh, shitës ambulantë të lëkurës së gjarpërinjve, vjedhës-ikonash, Sekretarë të Parë sy-shqyer, kryetarë kooperativash-deputetë të Parlamentit të parë dhe vetë Maksut Bigorri, i zgjedhuri i lartë në Forumin Demokratik Kombëtar, ky magazinieri i Njerëzve të Rinj, në vathën e të cilit kishte qenë edhe vetë Erson Pirgu.

f.252

Hera po hynte gradualisht tek Ersoni ashtu pa kuptuar, por ndërkaq, mjerimi i jetës së të dyve nuk po gjente dot ekuilibër, sepse po ngrihej para syve një Purgator i Ri, e ata ishin ende në zinxhirë, në torturë, për të ndrequr vdekjen që vinte nga Njeriu. Po a ndreqet Vdekja!? Njeriu dhe Vdekja janë motër e vëlla!

f.256

kur e dëgjoi një herë në orën e autokritikës, teksa ai s’po e thoshte dot atë që kërkonte organizata, dikush u ngrit dhe tha: “Partia të tredh! E di se kujt i thonë tredhje?” Ai nuk kishte asnjë dijeni për këtë proces, për të  çaktivizuar testikujt. I binte të kuptohej se Njeriu i Ri dënohej me tredhje, që të mos ishte në gjendje të riprodhohej. “Partia të do steril”, i kishte thënë Maksuti i Magazinës së Njerëzve të Rinj. “E di ti se kujt i thonë steril?

f.260

Eteri platonik i viteve që shkuan tani gjente mjet komunikimi errësirën. Në kapërcim, Ersoni nisi të përfytyrojë një  shushurimë magjike, sikur Hera po zhvishej me lehtësi, se si këmisha e saj ngjyrë vishnje rrëshqiste ngjethshëm mbi mishin e saj të praruar, me një ngecje  çuçuritëse në ijët dhe belin e saj, dhe pastaj gjer në fund të këmbëve. Dëshpërim i thithave të paprovuara, që psherëtinin të lënduara prej dy burimeve të shenjta ende të pa thithura. “Uh!”, psherëtiu ai. Dhe s’ishte në gjendje të lëvizte më tej. Ishte i pazoti të kryente kryeveprën e jetës brenda së njëjtës mjegulle kozmike, asnjë lloj zgjimi dhe lëvizjeje s’pipëtinte. Trembja, fobia, ankthi që

sillte goditja, shtypja, e kishin çuar në hapësira të pavetëdijes, të atij burgu të panjohur ku gjëllinte fara e species së njeriut, në sferën e një muzgu pafund.

  1. 262

“Kush janë ata që po ngjiten te tuneli ? ”, pyeti Ersoni. “Njëri grup kërkon eshtrat e Klasave të Përmbysura, kurse  tjetri, eshtrat e gjeneralëve dhe byroistëve varrhumbur, komunistë…” po mundohej t’i shpjegonte Vita. Gurët e një muri u rrëzuan dhe syri i zi i tunelit, u tremb. “ Në cilin grup më duhet të futem ? Dua të kërkoj eshtrat e mija ! ”,   po hahej ai me vetveten.

  1. 273

Gjysmerrësira thërriste një dritë sërish të dyshimtë, se kjo shkrirje e mistershme që po kryhej nuk ishte vetëm dëshirë, por një puqje e kërkimit, një ndërkallje mishi e ndjenjash të fshehura, një thurje e qepje, me ato fije të shpirtit. Lotët e secilit gjenin njëri-tjetrin dhe  përziheshin në rrëkeza që bashkëshkriheshin në përthithje të të njëjtit trup, ashtu të varur në tavanin e llamarintë, që nga çasti në çast priste t’i merrte nën çatinë e pambuluar mirë.

 

Përshtypje nga Bardhyl Selimi, 4 gusht 2019