BRIGADIERI I GRAVE TË FSHATIT / Tregim Nga Vullnet Mato

BRIGADIERI I GRAVE TË FSHATIT

 

Tregim Nga Vullnet Mato

Hetemi, me jakën e bluzës të shkopsitur e të varur si veshë lepuri, i parruar, me flokët shpupuritur kishte mëse dy orë që priste para zyrës së kryetarit të kooperativës. Brigadieri i gruas së tij, doli i pari nga mbledhja te zyra dhe pasi i hodhi nja dy romuze llogaritares se re me kërcackat e gazit të tij, bëri poshtë arave.
Brigadieri ishte pijanik e gruar i prapë. Qeshte me gjëmim e zgërdhihej kot së koti. Hetemit iu kujtuan fjalët e gruas së tij, një natë në shtrat. Brigadieri i shtatëdhjetedy grave e kishte rregulluar në fillim me atë më kuçkën e brigadës së tij, me trupgjatën e Nazifit. Pastaj, i kishte thënë: “Më gjej radhën me të tjerat!” Nuk donte të lodhte gojën e këmbët brigadieri pushtanik. Por t’i shkonin vetë, si delet te kasapi. Dhe ajo e Nazifit ashtu kishte bërë. I kishte thënë shoqes së saj të ngushtë: “Ke radhën!”. Ajo që nuk pranonte t’i shkonte brigadierit, përfundonte të nesërmen në hapjen e kanaleve kullues. Vetëm kazmë, lopatë, shatë, bel. Punë rraskapitëse, ku të dilte shpirti e pikët e ditëve të punës nuk plotësoheshin kurrë… Të ankohej… Te kush? Te shokët e brigadierit? T’i hapej nami deri tutje?…Dhe kështu radha u lidh, deri te ajo më e fundit e brigadës së grave. Kur i kishte ardhur radha Hetemores së tij, ajo qe përgjigjur: “Unë jam tetëmuajshe me të nëntin! ” Kështu kishte shpëtuar për qime Hetemorja e tij. Nga ky fakt i mbajtur sekret, që e shoqja e kishte vënë në be, Hetemi ndjehej disi krenar në raport me burrat e tjerë të fshatit që ishin zhyer me njollën e turpit dhe s’dinin gjë. Qysh nga ajo ditë, Hetemi i shikonte nga barku të gratë e asaj brigade. Dhe kur i zinte syri shtatzani, thoshte me vete, po shtohet fshati ynë me çunat e brigadierit… Fliste e qeshte me vete, se nuk ia mbante të hapte fjalë për kuadrot. Thuaj shyqyr ka shpëtuar gruaja ime pa mbajtur nëntë muaj në bark kokorroçin e atij qafëderrit dhe jam i fituar!…
Në këto mendime e sipër, u çel dera dhe pas pak doli kryetari i koopertivës me xhaketën prej mushamaje hedhur në sup. Ai i hodhi një sy të shpejtë Hetemit fytyrëvrerosur.
-Hë, mo Hetem, ç’ke që ma ke zënë derën pa gdhirë?
Hetemi kapërdiu pështymën dhe vuri buzën në gaz, ndonëse përbrenda i qante shpirti.
-Ç’të kem tjetër, o shoku Kryetar, ti e di, kam fëmijët pa bukë…
-E di, o Hetem, e di, se m’u ankua edhe jot shoqe, po s’kam ç’të të jap. Të ishte fund viti mund të bëja diçka. Tani për tani s’kam gjë prej gjëje, as në magazinë, as në arkë…
-Për pak ditë bëhemi vet i njëmbëdhjetë, bre …
-Para se të filloni nga ato punët e perëndisë, bëni një bilanç familjar. Ju edhe racë kulufësh të kishit qenë, nuk do kishit sulmuar kaq! Kështu, ju na kini ulur përtokë edhe pjesëmarrjen e grave në punët e kooperativës…
-Tallu, o kryetar, se e ke në terezi, pse të mos bësh qyfyre ! Mua po më lot mendja, si t’i ushqej tërë ato gojë me këto dy duar. – tha ai dhe tregoi shputat e argasura tërë kallo.
Kryetari i hodhi një sy zhbirues te duart, te koka e deri në fund të këmbëve. Ishte edhe fizikisht për t’i qarë hallin. Si t’ ia bënte? U mendua një grimë, duke rrahur qepallat me vështrimin serioz të lëshuar përtokë.
-Puno pak natën! – i tha së fundi me zë të ulët, dhe hodhi xhaketën prej meshinit në sup e u nis pa zgjatur asnjë fjalë më tej.
Hetemi mbeti si një kërcu i thatë, pa ditur e pa kuptuar asgjë nga ato fjalë.
-Ç’pret aty, o Temo? -dëgjoi befas zërin e mikut të tij, Rasimit, me të cilin ishte komshi.
-I thashë kryetarit për ndonjë ndihmë, po më çuditi, bre, me atë llaf që me tha, “Puno pak natën!” Ku të punoj natën, bre, ku ka punë natën?…
Rasimi lëmoi një grimë mustaqet dhe kroi kokën e djersitur te rrethi kapeles, pastaj buzëqeshi befas.
-Të tha vidh. – foli shkoqur.
-Jo, jo, s’ka mundësi, bre!
-Ja, për këta sy, më plaçin, në s’ta ka thënë me atë kuptim. Ai e di mirë që të tërë po e xhvatin koperativën. Vetëm ti i lemeris kalamaqët për bukën e gojës.
-Nuk di, bre, ç’të them e ç’të bëj!…
-S’ke pse kërkon ta dish kaq hollë, o Temo, po bëj siç të tha!
-Po nuk vjedh dot, bre, s’e kam bërë kurrë në jetën time!…
-Epo, vdis, e shko te varret, po mos merr edhe fëmijët pas vetes! – ia priti Rasimi nga pas shpine, duke i mëshuar gomarit me purtekën e njomë.
Kur arriti në shtëpi, Hetemi hyri menjëherë në dhomëzën e miqve, pa i rënë në sy gruas dhe fëmijëve të uritur. U mblodh galiç në një cep të minderit dhe mbylli sytë. “Qysh të vjedh, bre? Si ta nxi faqen? Si ta njollos shtëpinë e të më tregojnë me gisht? ” Në brendësi të vetes ndiente purtekat e turpit, që po ia kashaisnin shpirtin. “Epo, vdis, pra, e shko te varret, po mos merr edhe fëmijët me vete!” Pak nga pak nën membranat e mbyllura të qepallave halli po i bëhej sa një buall i zi, me brirë të llahtarshëm. Ndërsa vet po tkurrej e zvogëlohej sa një kec. Filloi t’i dhimbte koka tmerrësisht. Veshët po i buçisnin me gjëmimin e daulleve që lajmërojnë vdekje. Sytë iu lagën dhe shtrëngoi dhëmbët padashur. “Puno pak natën!”. Hapi sytë dhe vështroi i çmeritur përqark mureve të dhomës. Asgjë. Heshtje. Vetmi. Po, po, tha vendosmërisht, duke fshirë jargët nga buzët, s’kam ç’bëj tjetër, do punoj natën, se nuk ia dal dot me punën e ditës e me aq para sa marr me të…
Kështu, qysh atë natë, sapo u err mirë, Hetemi veshi një palë çizme të përbaltura, vuri kasketën në kokë, mori thesin bosh dhe pasi kapërceu gjerdhet e parcelave me jonxhë, hyri në arën me fasule të brigadës së tretë.
Rretheqark këndonin bulkthet dhe herë pas here mbi krye i fluturonin lakuriqët e natës. Befas, nja dhjetë metra më tutje, dikush dëgjoi gjurmët e tij në errësirë dhe ia mbathi me vrap. Hetemit iu rrëqeth trupi dhe për pak sa s’u përmor në brekë. Priti disa çaste duke ndjerë ngritje-uljet e pazakonshme të mushkërive. Pastaj nga kureshtja u afrua ngadalë në atë vend dhe sytë i shquan thesin e tjetrit të mbushur për gjysmë. U mendua një grimë. Deshi t’i thërresë, për t’i thënë, se nuk ishte roja, po hajdut, si puna e tij. Mirëpo me gjithë guximin që i jepte thënia e kryetarit, u tut se mos e dëgjonte ndonjë nga rojat që silleshin nganjëherë arave natën. Deshi ta zbrazë thesin e tjetrit te thesi i vet. Por i erdhi keq. Ai do kthehet, sapo të mbaroj punë unë, Dhe aty për aty u pendua. Epo fundja, mirë bëj, s’jam vetëm unë, që vjedh. Të tërë e rjepin koperativën. Mall i të tërëve dhe i askujt… E rrjepin anëtarët, e rrjepin kuadrot, e rrjep ca më shumë edhe vet shteti. Epo vidh, o Hetem, vidh, sa s’janë rritur çunat e brigadierëve, tha duke nxituar duart mbi lëvozhgat e thata të fasuleve. Vidh, se do vijë dita që kopilët e tyre, të zënë kanaleve e divaneve të zyrave, do batërdisin të gjitha arat e kooperativës. Ata s’kanë ç’bëhen tjetër, veçse hajdutë, kurvarë e kriminelë do bëhen, se s’ka burrë gruaje t’i bëhet baba, për t’i mësuar zakonet e mira kopilit të huaj. U prish bota, o Hetem, po vidh e mos çaj kokën. U prish mileti e më keq do bëhet, do çaprashitet i tërë populli me këtë farë të keqe që mbjellin brigadierët, kryetarët e sekretarët e byrosë.. Ç’do presësh tjetër prej tyre, doçër, bre, kopila të rritur pa dashurinë e prindit, pa edukimin e familjes. Shyqyr, o zot, që m’u ndodh gruaja me barrë e s’më polli një xhibilet të tillë… Vidh, o Hetem, vidh, se fundja, vjedh me lejen e kryetarit. Kështu, të paktën, quhesh gjysmëhajdut…
Pas fasuleve erdhi koha e misrit, e patateve, e duhanit, e grurit, e pemëve dhe e tërë të mirave që prodhonte toka. Dhe Hetemi pak nga pak ua mori dorën të tërave. Kishte ndodhur ndonjërin ta kapnin rojat.. Mirëpo Hetemi jo vetëm ishte i guximshëm, se vidhte me lejen e kryetarit, po nëntë muaj me thes mbi shpinë qe bërë edhe finok i kujdesshëm.
Dhe ja, befas një ditë, kreu gazmor i kooperativës e ndeshi Hetemin rastësisht në rrugë. Ai vërejti me kujdes shprehjen e çelur të fytyrës së tij
-Hë, mo Hetem, si dukesh tani, si po ia del me tërë ata kalamaj?
-Bereqave, o shoku kryetar, punoj nga pak natën, siç më the ti! -u gjegj buzëdridhur dhe ia nguli sytë me një kureshtje të pazakonshme.
-Puno, puno, po mos u rrëmbe ! – ia bëri kryetari duke fluturuar mbi sup xhaketën prej meshini dhe iku me hapa të gjatë në punët e tij me telashe.
Hetemi mbushi gjoksin me një frymëmarrje të thellë dhe tha duke luhatur kryet: Ky bukuroshi çehregaz është i poshtër, po më të poshtër se veten, më bëri mua…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s