MALI I VASHËS (Bazuar në një mit, ku dhe sot e kësaj dite mali sa kalon Elbasanin quhet “Mali i Vashës” dhe xhamia e Sinan Pashës quhet “Xhamia e poetëve” ) / Tregim nga Zyba Hysa

 MALI I VASHËS

(Bazuar në një mit, ku dhe sot e kësaj dite mali sa kalon Elbasanin quhet “Mali i Vashës” dhe xhamia e Sinan Pashës quhet “Xhamia e poetëve” )

 

Tregim nga Zyba Hysa

Agu i mëngjesit kishte shpërndarë tisin e mugëtirës duke e veshur grykën e lumit me një vel të grinjtë, i cili sa vinte e zbehej më shumë, derisa drita e diellit shkrepi në majë malesh, bëri rigoshetë dhe e dëboi përfundimisht. Lumi u zgjua plotësisht. Rendja e shkumuar nëpër monopatet e kishte lodhur e duke dalë në shtrat të sheshtë, lëshonte një shushërimë shplodhëse që cili e dëgjonte, dehej e ndillej si me magji për t’i shkuar pranë…
Qyteti shfaqej madhështor që nga kalajae ngritur në qendër të tij, nga ku zgjatej minareja e xhamisë së Gazi Sinan Pashës me kupolë të madhe në harmoni me gati 50 xhami tjera, që formonin një ansambël të vërtetë minaresh të ndërtuara në të njëjtën lartësi mbi qytetin e kalldrëmtë, ku vende – vende lartësoheshin sarajet e agallarëve, të cilat dukeshin sikur shihnin nga lart rrugicat e ngushta shtruar me kalldrëm, ku si dy gjerdanë radhiten në dy anët shtëpinë e ulta me qerpiѯ. Këtij dekori marramendës i shtoheshin dhe selvitë e gjata pranë atyre pak kishave dhe manastiresh të hershme shqiptare, që çuditshëm s’di se si kishin mundur t’i shpëtonin shigjetave të minareve…
E… mëngjesi pak nga pak po kapërcente pragun e tij dhe dielli mbushi qytetin e vendet përreth, ashtu si po mbusheshin dhe rrugët me njerëz të ardhur nga rrethinat për Ditëne Pazarit. Burra të gjatë e të pashëm, veshur me tirqe të bardha e të kuqe të rinjtë, tirqe me komça dhe këpucë, gra e vasha veshura me kostumet sipas moshës dhe krahinave që vinin, perzier me veshjet qytetare, qëndisur të gjitha me ar, u jepnin atyre shkëlqim hënor, si të ishin të Bukurat te Dheut… bënin që qyteti të ndjente frymën e gjallësisë dhe të merrte nurin e një nuseje në mëngjesin e pas natës së parë të martesës.
Brenda kalasë, ku ishte xhamia e Sinan Pashës, ruhej ende dhe një kishë, ku çdo të djelë, të krishterëve të qytetit u bashkoheshin dhe besimtarët e katundeve për rreth, të ndjellë nga ding – dongu i këmbanës, ashtu si bum… bumet e daulles që lajmëronin oraret e agjërimit tek myslimanët, njerëzit shkonin drejt saj, si të vënë në radhë për të kryer ritet e së dielës. Gratë dhe vashat e krishtere, që visheshin me rrobat më të bukura për të shkuar në kishë e më pas, shkonin në pazar, i jepnin këtij qyteti më shumë ambjent festiv, se sa tregëtar, në kundërshtim me gratë myslimane që rrinin të mbuluara dhe veshur me ferexhe, ato dukeshin vertet perëndesha. Kjo bukuri e rrallë këtë qytet e kishte pagëzuar me emrin “Nusja e Arbërisë” apo siç shpreheshin të huajt “Nusja e Rumelisë”.
Si e dielë që ishte, rrugica që të çonte tek kisha ishte mbushur në të dy anët me besimtare, midis rreshtave kalonin herë pas herë kalorës që shkonin në krah të kundërt për nga pazari. Përveç hapave të kalimtarëve dhe trokut të ndonjë kali, asgjë nuk pipëtinte, thua se të gjithë kishin filluar lutjet që kur kishin dalë nga shtëpitë.
Befas u dëgjua një britmë… më pas zëra të shqetësuar. Kalorësi, një djalëi veshur me hirq të kuq, tirqe të bardhë me gajtanë e kopsa të zeza pas trupit, ndjeu se diçka preku kali i tij, ndaj u hodh si shigjetë dhe u mundua të shikojë se çfarë kishte ngjarë.
Fill pas kalit, ishte shtrirë mbi kalldrëm një vashë e re, që ngjante si sorkadhe e vrarë. Pa e menduar gjatë, shkoi pranë dhe kur e pa si pa jetë, e mori në krahë dhe vrapoi për nga porta e kalasë. Njerëzit shtangën me guximin e djalit dhe për pak u stepën duke ndjekur me sy, që, po të mos kishin qenë dëshmitarë që kali e qëlloi me shqelm dhe e rrëzoi për tokë, do mendonin se po e rrëmbente.
Asnjë nuk lëvizi në këto pak sekonda, më pas u shkëput nga grumbulli një burrë dhe një grua që u shkonte pas një djalë, jo më shumë se 10 vjeç. Ata vetëm vraponin të arrinin djalin; as flisnin, as qanin, vetëm vraponin dhe kur djali kaloi portën e kalasë e nuk dukej më, kalimtarët vazhduan udhën e tyre drejt kishës që hyjen e kishte për nga ana tjeter e kalasë.
Tek porta e xhamisë nuk kishte njeri. Djali shtyu me supin e djathtë derën dhe pa pritur të hapej e plotë hyri brenda brinjas, por nga nxitimi koka e vajzës u përplas me direkun anësor dhe hapi sytë. Djali, sapo kaloi pragun, ndjeu lëvizjet e saj dhe… ç’të shihte! Dy sy si dy copa qielli me gjithë pigmentin e kaltërsisë së tij u shfaqën. Harroi që ishte në xhami, harroi që në asnjë rrethanë nuk kishte të drejtë të merrte një vajzë në krahë edhe sikur ajo të vdiste në rrugë, harroi gjithçka, por si të harronte sytë e saj?? Ata ishin ngulur në sytë e tij si dy shigjeta të zjarrta dhe ndjeu në zemër çpimin e tyre. Vasha nuk u tremb, mbase dhe ajo mbeti e ngujuar ne sytë e zinj të djalit. Askush nuk mund të gjejë fjalë për të shpjeguar ndjesitë e tyre të pavullnetshme në këto pak çaste magjike. Në këtë përhumbe çastore që i dërgoi atje ku s’kishin qenë më parë, i gjetën prindërit e vashës me gjithë vëllanë e vogël.
– Si është vasha eme? – Foli gruaja e tronditur.
– E more çun, do ma paguash këtë turp që më bëre, o bir turku!
Djali e lëshoi ngadalë vashën në tokë dhe u kthye për t’i përshëndetur, por babai rrëmbeu për dore të bijën dhe iku duke thënë:
– Eja moj grua, sa të mos na shofin që kemi hyrë në xhami, na faltë perëndia
dhe ti çun, do ma paguash shtrenjtë këtë që i bëre vashës teme, se të mos ishe bir turku, do ta lija në dorë…
– Nuk jam turk, – hapi gojën më në fund djali, – jam arbër…
– Arbrit janë të krishterë, siç jemi ne, ju u bëtë turq muhamedanë… – tha dhe
kapërceu portën e xhamisë duke u drejtuar për nga porta e kalasë…
Djali mbeti në këmbë, por në duar ndjente ende peshën e vashës dhe iu duk sikur i përkiste atij dhe as vetë nuk e kuptoi se pse rendi pas tyre. Vasha ktheu pakëz kokën dhe i buzëqeshi në shenjë falënderimi, më pas, futi dorën në gji, ku ajo mbante zakonisht një shami të qëndisur dhe fshehtas prindërve e hodhi për tokë. Ai qëndroi i shtangur. Shikonte here shaminë, herë trupin e saj lastar që sa herë hidhte hap, kulmohej si të ishte ngjalë. Kur ata kaluan portën e kalasë, u ul e mori shaminë duke e fshehur në xhepin e brendshëm të hirqes së kuqe, afër zemrës dhe rendi për nga rrugica. Kalin e gjeti në një çeltirë në fund të rrugicës tek kulloste. Shkoi dhe menjëherë i hipi, po në vend të drejtohej nga pazari, u kthye për t’i ndjekur nga larg.
Ata u drejtuan nga kisha, ndaj djali i zbriti kalit, e lidhi dhe shkoi u ul poshtë një selvije dhe filloi të çonte nëpër mend atë që kishte ngjarë e më në fund ndjeu shqetësim. I përziheshin… i kthelloheshin… përsëri i përziheshin mendimet… asnjëherë nuk dilte në një përfundim, asnjëherë nuk i jepte të drejtë vetes , por dhe as e qortonte dot veten.
Me këto stuhi mendimesh, pa mendime të qarta, kushedi sa do kishte qëndruar poshtë selvisë, por kur njerëzit filluan të dalin nga kisha, ai u ngrit përnjëherë në këmbë, sikur t’i kishte thirrur njeri. Picërroi sytë, por nuk i dalloi dot. Vargu i njerëzve mbaroi dhe ata nuk u dukën. Shqetësimi i kaloi në ankth. Pa e menduar vrapoi drejt kishës, u fut brenda dhe dalloi në njërin prej stolave të shtrirë symbyllur vashën e për rreth i rrinin disa murgesha dhe prindërit e saj.
– Di unë një doktor, ejani ta dërgojmë atje! – Foi ai pa u menduar.
– E kemi thirrur doktorin, po presim të vijë… – tha njëra nga murgeshat.
Babai i vashësh mendoi t’i vërsulej, por u kujtua që ishte në kishë, shtërngoi nofullat në heshtje. Djalit filloi t’i rrihte zemra me forcë. Heshturazi filloi të bëjë lutje pa zë duke kënduar syre e pse ishte në kishë.
U ndjenë hapa. Kthyen kokat dhe panë doktorin francez, i cili kishte ardhur që prej dy vjetësh në këtë qytet. U larguan pak të gjithë nga vasha, doktori nxori nga çanta një shishe të vogël me ilaç, ngjeu një rreckë të butë e të bardhë dhe ia vuri tek hundët. Vasha sa herë merrte frymë dridhej, si duket ia shkaktonte aroma e ilaçit këtë shqetësim dhe nuk shkoi shumë, hapi sytë.
I pa të gjithë me radhë dhe qëndroi e gozhduar tek djali. Buzëqeshi si diell mëngjesi e pse vetë ishte më e zbehtë se hëna. Mjeku i foli njërës nga murgesht frëngjisht dhe i tha asaj t’i jepnin të pinte gjalp të tretur dhe të rrinte në kishë derisa të përmirësohej. Murgesha u drejtua të afërve që të largoheshim, se vasha do të ishte në duar të sigurta. Djali doli i pari për të mos pasur kontakt me prindërit e vashës, me një të kërcyer hipi kalit, tërhoqi frerin, e qëlloi më të dy thembrat e këmbëve dhe kali u nis vetëtimë për në jug të qytetit, nga ku kishte dhe shtëpinë. Kur u ndesh me vështrimin e babait, u kujtua që nuk kishte kryer porosinë e tij.
– Ku u vonove bir?
– Ja… kërkova gjithë pazarin dhe nuk gjeta…
– Në pazar isha vetë, se ti nuk po vije dhe mua më duhej boja për të ngjyrosut
të leshtat, se duhet dërguar porosia…
– Baba… më iku kali… u trmb nga teneqexhinjtë… Po të mos isha hedhur më
bëri copa… – gënjeu ai për herë të parë të atin dhe me mend thoshte “O zot më fal!”
– Je vrarë, o bir, – foli e shqetësuar e ëma që kishte ardhur pa u ndjerë pranë
tyre.
– Jo, moj nënë, nuk jam vrarë…
Filluan të buçisni minaretë, duke u përzier zërat e tyre sipas largësisë krijonin sinfoninë e të thirruruit të zërit, siç e quanin vendasit, të cilët linin punën, apo qëndronin kush ishte duke ecur, dhe thonin lutje pa zë duke përfundar me fjalën “Amin!” Pazari ishte në të mbaruar dhe njerëzit po rralloheshin e rrugët pak nga pak mbetën të shkreta, sikur minaretë u dhanë komandë për të ikur.
Djali u ngjit në katin e sipërm të shtëpisë dhe filloi të hiqte rrobat e pazarit për të veshur rrobat e punës. Kur po hiqtë hirqen, i shkoi mendja tek vasha. Qëndroi sikur ta kishte në krahë dhe kaloi nëpër mend gjithçka që ndodhi. Rrëmbimthi futi dorën në xhepin e brenshëm të hirqes dhe mori shaminë dhe si ta kishte një lule filloi ti mirrte ere. Ndjeu aromë mjalti, si të kishte të gjitha aromat e luleve të tokës. E gjithë qenia e tij u ndez, thua se në vend të damarëve të gjakut ishin tela të nxehtë, të cilët ku e digjnin dhe e përcëllonin, ku përsëri brenda çastit e ngrohnin ëmbël dhe e shndërronin në jo njeri, në një qenie që nuk ngjasonte me të qënurit e tij të mëparshëm.
– Bir, po të kërkon yt atë… – foli e ëma që nga dera.
– Erdha nënë… – tha ai duke fshehur shaminë në xhepin e tirqeve që ende nuk i
kishte hequr.

Djali e kalonte ditën pranë babait duke ngjyrosur në destilë dhe as i kuptonte ditët kur kalonin, po kjo copë ditë u duk e pasosur. I ngjante sikur vasha kishte mbetur në krahët e tij, në sytë tij, në shpirtin e tij dhe s’gjente qetësi. S’mund të çonte deri në fund një mendim, s’i bënin duart për punë, s’donte të fliste me asnjë. Ai s’ishte më Ai, gjithçka kishte ndryshuar si me magji, ai jetonte në mbretërinë e tij, në një mbretëri, që vetëm vasha i shfaqej.
Shumë herë babai i tërhiqte vemendjen, se rrinte i përhumbur, por çdo gjë që merrtë në dorë, i dukej sikur mbante vashën dhe i dilte parasyshë herë e shtrirë në kalldrëm, herë tek xhamia, ku i nguli sytë e nuk i shqiste dot, herë në kishë, apo kur i hodhi shaminë në tokë dhe për çudi njerëzit e tjerë ishin fikur nga kujtesa, biles edhe prindërve s’ua ndjente praninë. Donte të rrinte vetëm, si për ta kujtuar shpesh e shpesh që të mos i largohej nga kujtesa.
Dita vërtet u duk e gjatë, por nata pa mbarim, me vite, me shekuj… Përpëlitej mbi thekoren e distiluar shtruar mbi hasër, sikur ta kishin zënë ethet e gushtit. Dha e dha e s’po gjente qetësi. U ngrit, ashtu siç ngrihen njerëzit nëpër gjumë, syçelë, por që ecin kuturu, doli nga dhoma e tij, zbriti ngadalë dhe mori rrugën për nga kisha.

Kishte kaluar pasmesnata dhe në rrugë nuk pipëtinte këmbë njeriu. Rrallë ndriçonte ndonjë pishtar. Ecte si ndonjë i marrë dhe veç kur u gjend para kishës. Pa u menduar trokiti në portë dhe pas disa të trokiturave, doli një murgeshë.
– Çfarë kërkoni?
– Jam vëllai i vashës… kam ardhur ta shoh se si është…
– Vasha është mirë, po fle, mos e shqetëso, nesër…
– Unë kam ardhur nga katundi ta shikoj, – e ndërpreu ai.
– Si të besoj që je vëllai?
– Unë isha sot, nuk më mban mend? Jepi këtë shami se është e saj dhe atëherë do
më besosh.
Shkoi tek vasha dhe ajo, sapo e pa shaminë, u ngrit me të shpejtë, por e ndaloi murgesha, se mjeku i kishte porositur që të mos ngrihej. Djali që përfitoi nga mungesa e murgeshës, kishte ardhur deri pas derës së vashës. Murgesha e lejoi të futej dhe shkoi të flinte përsëri. Ashtu e shtrire, ku flokët kishin harbuar mbi jastëkun e bardhë e sytë ishin shndërruar si dy shkëndi mes mugëtirës që krijohej nga ndriçimi i zbehtë i një qiriri, vasha ngjante vertet me të Bukurat e Dheut, si në përrallat që i kishte treguar gjyshja.
Ajo s’lëvizi, jo se zbatoi porosinë e doktorit, por prania e djalit e kishte paralizuar, ndërsa ai rrinte në këmbë duke e lënë veten të pushtohej nga kjo pamje përrallore.
Sa kuptim merr jeta vetëm prej një çasti, po sa të papritura vijnë pas atij çasti, por ndodh që çaste të tillë vlejnë sa një jetë, dhe çaste të tillë të japin forcë dragoi për të shpërfillur çdo vështirësi… edhe sikur jeta aty të mbaronte, ai do të vdiste i lumtur, se gjithë qenia e tij ishte shndërruar në mosqenien e tij, po një gjë ishte e sigurtë, ai ndjeu gjallësinë e jetës së tij dhe kuptoi që kjo jetë filloi të frymojë nga prania e vashës.
Si vallë pa e njohur, ajo ishte bërë ai dhe ai ishte bërë ajo? Çfarë fuqie i bashkon njerëzit si të ishin dy pole të kundërt, që u ngjitën dhe s’mund të shkiteshim më edhe nga largësia?Dukej sikur një energji përmes ajrit shkonte dhe vinte tek ta e s’kishin më qetësi. Dashuria është helmi që pimë me duart e fatit dhe është fati ai që na shpëton, apo na dërgon drejt fundit.
Qëndronin pa folur, s’merrnin as frymë, s’mendonin, s’ishin fare në këtë botë… Zemra kishte marrë timonin, po se ku do ta çonte ajo s’është e aftë të rrëfejë, kur të pushtojnë ndjenjat janë si lumi pas shtërngate që e bëjnë ujin të dalë nga shtrati, ai përngjante si lumi me të cilin ishte rritur, ku shpesh vinte deri në oborrin e tij duke rrëmbyer ç’të gjente përpara, por brenda një çasti ai u kthye si rrëkezë që s’ka fuqi të ecë revan.
– Erdha të sjell shaminë… – foli ai për të justifikuar praninë e tij të pazakontë.
– Ajo është jotja… Si erdhe këtu? Po e mori vesh baba do më vrasë, ose do na vrasë
të dyve, po na gjeti bashkë.
– Më mirë të më vrasë, sesa të rri me këtë ankth që më ka pushtuar… s’gjej
qetësi… mendoj veç për ty!
– Ti je turk!
– Të krishterë kemi qenë edhe ne, po turqit na prishnin derstilat dhe u detyruam të
kthehemi, po ata që ishim jemi, jemi arbër…
– Babai thotë që ju s’jeni më arbër, jeni bërë turq, jeni si turqit…
– O vashë e bukur, unë do të kthehem përsëri i krishterë dhe do të marr nuse…
– Kjo s’bëhet… ik se kam frikë për ty… edhe unë vetëm me ty dua të martohem,
por…
– Ku e ke shtëpinë, se do vij të kërkoj për nuse…
– Ne jetojmë në katundin e parë matanë qytetit… por mos u mundo, se baba i sheh myslimanët njëlloj si turqit, na ka porositur dhe prifti që as dorën të mos u japim…
– Ashtu na thotë edhe ne myftiu, por ne jemi arbër, o vashë e bukur, ja, ne flasim një gjuhë…
– Ik, se po zbardh dita! – Foli ajo gjithë shqetësim.
Ai u përkul, i mori duart mes pëllëmbëve të tij, ku kishte dhe shaminë e saj dhe i afroi t’u merrte erë, ashtu siç kishte bërë gjithë natën, me shaminë nën ethet e dashurisë dhe ndjeu sërish aromën që e kishte dehur deri në marri.
– Ik… ik… ik… të jap besën, nuk martohem me njeri tjetër, vetëm ik!
– Ti je fati im, Zoti kështu thotë, ne jemi bij tëZotit, – filloi të flasë ai me fjalë që kurrë s’i kishte përdorur.
– Kemi Fe të ndryshme… Zoti na faltë mëkatin!
– Ne s’po bëjmë mëkat, do martohemi bashkë…
– Ik… ik… ik… se vjen baba, – foli ajo me lot në sy dhe tërhoqi duart nga pëllëmbët e
tij, por në vend të largohej, as vetë se kuptoi se si, po u derdh në qafë.
Të gjitha poret e trupit u shndërruan në buzë dhe u puthitën, u shkrinë, u bënë një, por s’goxonin ta puthnin njëri – tjetrin me zjarrin e të gjithave puthjeve porore të lëkurës së trupit.
U ndje kërcitja e derës nga ku flinte murgesha dhe u shkëputën si me shpatë. Ajo u shtri në vendin e saj e djali u nis për të dalë.
– Mos ik… eja… merre shaminë, ajo është jotja…
Djali u kthye, u përkul dhe e puthi në ballë.
– Do ta ruaj derisa të bëjmë dasmën…
Kur doli në rrugë, kuptoi që kishte ardhur zbathur. U dha këmbëve pa e ndjerë
dhembjen e gurëve të sokakut për të arritur sa më parë në shtëpi, pa u ngritur prindërit nga gjumi.

***

Ditët kalonin dhe pesha e zbraztësisë që i la largimi nga vasha i merrte frymën. Puna me të atin, i dukej tmerr, nuk i bënin duart, sikur pesha e saj ia kishte këputur dhe marrë me vete. Ishte bërë i heshtur, saqë prindërit filluan të shqetësohem me këtë ndryshim të papritur dhe teksa e pa i ati me sy të mbërthyer në një pikë i foli me dashuri:
– Bir, mos je sëmurë?
– Ç’thua baba, jam shumë mirë, – u përgjigj ai si i trembur, se i ngjau sikur i lexoi mendimet.
– Se si dukesh bir, ke disa ditë…
– Jo baba, jo, mirë jam, – tha dhe bëri të ngrihej, por i ati e ndaloi.
– Të dërgoj tek doktori francez për të marrë ndonjë bar? – Nguli këmbë ai.
– Mirë baba, për të larë merakun po shkoj vetë… ne kemi qenë kur çuam gjyshen…
– Merre kalin dhe shko, mbase je ftohur…
Djali u ndriçua në fytyrë, sikur të kishte pirë një ilaç që atë çast. Ngjiti shkallët dhe filloi të ndërrohej. U vesh me rrobat që pati ditën e pazarit, zbriti me një frymë shkallët, i hipi kalit, i ra me dy thembrat mbi bark dhe u nis erë.
Sapo doli në kthesë, nga ku s’dukej më shtëpia, tërhoqi frerin kalit dhe mori udhën për nga katundi i vashës.
Rruga ishte e drejtë dhe s’ishte e panjohur për të, se shpesh shkonte merrte dhe dergonte porositë e katundarëve për dëstilën, por asnjëherë nuk i kishte bërë përshtypje si sot.
Udha ecte rrëzë kodrave e në krahun tjetër shrihej një fushë e madhe që mbaronte deri në brigjet e lumit, të cilit, nga këtu s’i ndjehej kënga… ai tërhiqte frerin dhe kali merrte revan, por shumë shpejt harrohej dhe kali ndalonte hapat duke mbushur edhe ndonjë goje me bar e ai përhumbte në pejsazhet marramendëse, thuaj se nuk i kishte parë ndonjëherë. I dukej sikur gjithë fusha ishte e tij, lumi i tij, mali përballë i tij, kodrat e krahut tjetër të tij, edhe qielli sot ishte i tij, se u ngulte syte, sikur kërkonte të çmallej me ta, po në të vërtetë ai bisedonte me ta, për të fshehtën e zemrës.
Doli përballë katundit, tërhoqi frerin kalit dhe ndaloi. Qëndroi pak duke shikuar me radhë shtëpitë, ku secila nga to i dukej e vashës. Kali tregonte shenja nervozizmi dhe filloi të përplaste këmbët, sikur donte të fliste e të shprehte ndonjë mendim, apo sikur ndjente ndonjë rrezik, por djali as e vuri re, por tërhoqi frerin, qëlloi me thembrat barkun e tij dhe kali u nis.
Disa e njohën dhe e pyetën për porositë, por ai duke shikuar përqark të jepte idenë se dikë kërkonte, ndaj njëri e pyeti:
– Kë kërkon të takosh?
– Para disa ditësh, kali im goditi një vashë të këtij katundi dhe doja të pyesja se si është?
– Mos e keni fjalën për vashën e Kostës?
– Po, – tha ai, – pa e ditur që babai i saj kishte atë emër.
– Më mirë mos u duk këtej, se ai ta ka bërë benë, se vasha e tij, që nga ajo ditë, nuk
është ngritur nga shtrati, as ha, as pi, bile ai e kishte në fjalë për ta fejuar me djalin e Andreas, se ti e di, këtu pak shtëpi kanë mbetur të krishterë, por si duket, as fejesa nuk do të bëhet…
– Ku e ka shtëpinë Kosta?
– Ja, ajo atje që i duket pak çatia, mes pemëve… po dëgjo mua o çun, kthehu nga ke
ardhur!
Për herë të parë i thirri mendjes, jo se kishte frikë për veten, por s’donte të bënte keq vashës, ndaj ktheu kalin dhe iku erë. Për çudi ndjeu në shpirt lehtësim dhe ngazëllim. Gjithë përfytyrimet e rrugës, imagjinatën se si do e takonte dhe gjetja e shtëpisë së vashës e bënë që t’i largohej ai tis hutimi dhe kur shkoi tek shtëpia, ishte më i ngazëllyer duke u thënë prindërve që mjeku nuk i kishte gjetur sëmundje në trup.
Filloi punën si zakonisht dhe u duk se gjithçka u kthye si më parë dhe vërtet ai punoi shumë atë ditë dhe nuk u përfshi nga vorbulla mendimesh, bile, edhe për shëndetin e vashës nuk u shqetësua, për të kishte rëndësi që gjeti shtëpinë dhe e mendonte se ku gjendej ajo.
Njeriu është si universi, përderisa është pjesë e tij, ndaj ashtu si një ditë fillon dhe nuk mbaron e kthellët, apo e vranët e me stuhi, por mbaron e kthellë, edhe njeriu s’ka të njëjtin mendim dhe humor gjatë gjithë kohës, ai ndryshon pa vullnetin e tij, kështu dita kaloi si kaloi me plot emocione, por nata… eh, nata për të dashuruarit, ashtu si për çdo njeri të sëmurë, është e vështirë. S’po gjente qetësi, shamia në dorë u njom nga djersitja. Tani kishte kohë të mendonte gjatë, por mendimet u bllokuan nga fjalët e katundarit “… nuk është ngritur nga shtrati, as ha, as pi, bile ai e kishte në fjalë për ta fejuar me djalin e Andreas…” dhe mendimi “Po sikur të vdesë??” i ra në kokë si vare dhe u ngrit. Filloi të vinte përqark dhomës si të ishte në burgjet e kështjellave të turqve. U ndje i pafuqishëm… u shkatërrua fare, thua se një sëmundje e fshehtë po ia merrte shpirtin. Përgatiste plane dhe mendimi tjetër i fshinte ashtu si dallgët gjurmët e njëra – tjetërës. Mendimet ngecnin, gjumi ikte, dita erdhi…
Filloi punën si zakonisht, por asgjë s’mbaronte, asgjë s’mendonte, veçse ndjehej i sëmurë rëndë, pa ditur se çfarë i dhembte, por çdo gjë i dhembte, një dhemje që nuk ka mjek ta shërojë…
Përmes këtij turbullimi të paemërt e mbylli ditën dhe shqetësimi i shtoi kafshimet e tij. Kur do fuste kalin në ahur i shkrepi në mend të ikte natën tek shtëpia e vashës dhe e nxori kalin pas haurit dhe e lidhi per një direk që të mos dëgjohej zhurma e portës kur të ikte.
Orët ishin bërë vite. S’kishte provuar orë kaq të gjata në jetë dhe kur u sigurua që prindërit ishin në gjumin e thellë, u ngrit, mori këpucët në dorë dhe zbriti në majë gishtash, mori kalin për kapistre dhe pasi doli më tej, i hipi, e qëlloi me thembra dhe fluturoi.
Tërbimi i trurit i kishte fikur frikën. Ndryshe nga udhëtimi i djeshëm, sonte i shfaqej vetëm vasha, sikur ajo kërkonte ndihmë… po si do ta ndihmonte, as ai se dinte, mbase ai kërkonte ndihmë për vete, se s’mund të rrinte pa e parë. Kali ecte, djali mendonte se si do ta takonte dhe për çdo mendim sajonte nga një takim…
Arriti. Ndaloi kalin dhe e lidhi për një shkurre, hoqi këpucët dhe u nis me hap lepuri për t’i dalë nga pas shtëpisë. Shtëpia ishte e ulët. Vetëm një dritare ishte nga ajo anë, po dhe ajo ishte mbyllyr me kapak dërrase përgjysmë. U afrua këmba – doraz dhe qëndroi poshtë saj, me shpresë se mund të dëgjonte diçka. Befas, u ndje kërcitja e kapakut. Për habinë e tij, dëgjoi vashën që doli në dritare duke u lutur Shën Marishë. “O Nënë Shën Mari, falmë mëkatet e shpirtit! Bëmë të vuaj në tortura të mëdha, merrmë nga kjo botë, jetën të fal, po bëj që të takoj edhe një herë çunin me kalë! Të qofsha falë Perëndi, përulur para teje Shën Mari, vetëm ta shikoj e të vdes si një virgjëreshë!”
Djali iku fare nga realiteti, kujtoi se mos ishte në ëndërr, por e mblodhi veten shpejt se mendoi që vasha do mbyllte dritaren, ndaj zgjati njërën dorë ku mbante shaminë e saj. Ajo u drodh, s’hapi zë, qëndroi dhe besoi që ishte ai dhe e mori dorën duke e vendosur në gji. Djali u ngrit e përballë kishte atë, vashën e tij të zemrës. E pushtoi fort në krahëror derisa shqelmat e zemrave desh i lanë pa frymë si shqelmi i kalit vajzën atë ditë në Pazar… Ai ndjente ofshamat e shpirtit të saj, thua se po jepte shpirt… “O zot i plotfuqishëm, adhuruar qofsh që më takove me vashën time!” – Foli djali me vete dhe u largua për ta kundruar me mirë në sy, por sytë e zemrës e dërguan në buzët e vashës që digjeshin nën flakët e mallit.
Mund të puthësh buzë të nxehta pasionante që shndërrohen në akull sapo mbaron pasioni, po këto ishin buzë që zemra i frynte flakës dhe flaka digjte buzët… Tani le të ishin larg… shumë larg, por distancë s’do të kishte më t’i ndante.
– Mos rri pa hangër, se do të sëmuresh… unë s’të lë pa marrë!
– Ik… ik… ik.. as unë s’do jem e tjetërkujt, të dy gjallë, të dy vdekur! – Tha ajo dhe u
derdh sërish në qafë, sikur aty vari shpresën e jetës.
Djali u shkëput për të ikur, por as vetë se kuptoi se si u gjend në puthjen e saj të valët…
Pasi u ndanë, vasha shkoi në shtrat dhe po mundohej të kuptonte në ishte realitet, apo në një nga ato ëndërrimet e përnatshme. Si për të besuar, vuri dorën mbi buzë, ku dalloi ende njomështinë e prushtë të puthjes së çunit me kalë e puthi dorën disa herë dhe ndjeu brenda saj vallëzimin e dashurisë…
Të nesërmen, vasha u ngrit që herët nga shtrati dhe ashtu si një hije u afrua s’ëmës.
– Dua të ha bukë…
– Qofsha falë Shën Mari, që ma ktheve vashën…
– S’kam gjë, nënë, dua të ha bukë e të ngrihem nga shtrati…
Gëzimi qe i madh, aq i madh saqë babai i saj rendi nëpër katund për të dhënë lajmin se e bija ishte shëruar. Shkoi edhe tek Andrea e i tha që shumë shpejt do të fejojmë fëmijët. Sigurisht që gëzimi pushtoi dhe familjen e Andreas.

***

Teksa po punonte bashkë me të atin, djali pas shumë mendjimeve u drejtua të atit:
– Baba, mund të kthehemi përsëri të krishterë?
– Ç’janë këto fjalë që flet, o bir? Mos të dëgjojë njeri se na fike derën! Tani s’jemi
më të krishterë, as mos ta mendosh këtë gjë se myftiu mund të na bëjë shembull për të na turpëruar… Harrove ti që na prishën destilën, ndaj u kthyem myslimanë? Në shpirt dhe në ritet e shtëpisë të krishterë jemi, – tha ai pa ditur qëllimin e djalit.
– Baba…
– Fol, more bir, çfarë do të dishë?
– A mund të martohem unë me një të krishtere?
– Tobestrafkulla! Dhe kjo na duhet ne, pse u shuan vashat muslimane? Ti e ke
mësuar në xhami që nuk lejohet të bësh krushqi me të krishterët dhe të krishterët me myslimanë.
– Kur shkova një ditë në katund pashë një vashë… më pëlqen dhe dua ta marr për
grua… Ne jemi arbër babë, s’jemi turq!
– Mos të shkojë në mend! – Tha i ati dhe u ngrit e doli më tej i tronditur.
Djali nuk e vazhdoi më bisedën, po u ngrit dhe vazhdoi punën. “Po sikur të shkoj në xhami e t’i lutem myftiut?” – Mendoi dhe për fat ishte e xhuma e për çdo të xhuma të gjithë burrat shkonin e faleshin në xhami.
Po vinte ora dhe babë e bir u nisën. Gjithë rrugës s’folën fare. Ai mendoi që myftiu do e ndihmonte, se në mësimin e arabishtes ishte i pari dhe e kishte me sy të mirë. Mbaruan të falmen dhe ndërsa të gjithë dolën, ai ndenji më pas dhe shkoi të takonte hoxhën.
– Selam alekym efendi!
– Alekym selam o bir i allahut… ç’e mirë të solli tek unë?
– Dua të bëj një pyetje efendi… A mund të martohem me një vashë të
krishtere?
– Tobestrafkulla! Tobestrfkulla! Si i thua ato fjalë në shtëpinë e Allahut? Kurrën
e kurrës! Allahu të faltë gjynahet për llafet që the!
– Ne jemi arbër, flasim një gjuhë e kemi lindur në një tokë, pse të mos
martohemi? – Foli prapë djali që kërkonte me çdo kusht mbështetjen e tij.
– Largohu nga shtëpia e Allahut, se të ka pushtuar shejtani, tobestrafkulla…
tobestrsfkulla! – Foli me të egër myftiu dhe hyri nga një derë duke u mbyllur brenda.
Djali mbeti pak çaste në këmbë dhe doli. U kujtuan fjalët e vashës “Të dy bashkë, të dy në varr”, doli pas xhamisë, mori një gurë të mprehtë dhe shkroi fjalët e vashës dhe më pas: “O Allah të përgjërohem jepna hajrin me vashën, të dy bashkë e gjallë, të dy me trashëgimtarë…” E shkroi dhe iku me vrap në shtëpi, me besim tek Allahu se do t’i ndihmonte.

Ditët kalonin dhe djali s’kishte kujt t’i qante hallin, ndaj për çdo ditë shkruante lutje dhe i vazhdonte me vargje poezie. Këto i bënte fshehtas dhe kur një ditë në mësimin e arabishtes, myftiu thotë:
– Cili nga ju shkruan lutjet pas xhamisë? – Dhe vështrimin e ndali tek djali që e
kishte pyetur për vashën.
– Unë, – tha djali, – i lutem Allahut të më ndihmojë, i lutem për çdo darkë në
shtëpi, por jam shumë i mërzitur dhe vij e i shkruaj lutjet në xhami, si shtëpi e Allahut e Allahu është më pranë e më dëgjon e më ndihmon.
Myftiut i shkreptinë sytë. Mirë të ishte i krishterë e të bëhej musliman, po të ishte mysliman e të bëhej i krishterë do të thoshte t’i bëje varrin vetes.
– Pse s’bëhet vasha myslimane? – Tha hoxha dhe ia nguli sytë djalit, sikur do ta
shponte me vështrim tej e tej. – E kujt është vasha? – U kujtua ai të pyeste.
– E Kostës… nga katundi afër qytetit…
– Jezit! Ke bërë gjynahe dhe futesh në derë të xhamisë, përjashta! Ju mos u
takoni më me atë çun, – u kthye të tjerëve, – ai ka shkelur urdhërin e Allahut, ka bërë gjynaf dhe mos rrini megjynafqarin, se do u mallkoj para Allahut!

Atë natë myftiu s’vuri gjymë në sy. Si të bënte edhe të mos shfaqej para besimtarëve, kundër dashurisë njerëzore, por si të përballonte sulmet që do t’i bëheshin atij. “Qëllimi i Fesë këtu në Arbëri, s’është të bashkojë popullin, por të përçajë popullin dhe përmes Fesë, të shtohet dashuria për Perandorinë Osmane…” i vinin në mend fjalët e të dërguarit nga Stambollit. U ngrit nga shtrati dhe shkoi e thirri rojën e xhamisë.
– Lepe efendi!
– Shko tek prifti dhe thuaji që nesër mbrëma, fshehtas të vijë në xhami, se kam një
urdhëresë nga Patriarkana e Stambollit… – gënjeu ai.
Roja u ngrit e me shpejtësi u vesh dhe doli. Myftiu vrau mendjen gjithë natën se si të vepronte. Sytë e djalit plot me dritë e trembnin për vdekje. “Duhet një kurban!” , mendoi… po si? Kështu u rrotullua gjithë natën e asnjë pikë gjumë s’vuri në sy.
Edhe ligësia të le pa gjumë si dashuria… më në fund ra dakord me mendimet e tij. Pagjumësia e ngriti nga shtrati që në agun e parë, doli jashtë për të marrë ajër të pastër, të bënte një shëtitje e më pas të flinte gjumë i kënaqur për zgjidhjen që mendoi, por çfarë të shikonte? Gjithë faqja e murit ishte mbushur me lutje dhe fjalë shpirti të shkruesve. Sytë i shkepën shkëndia nga inati dhe u turbullua aq shumë sa nuk po lexonte dot. U afrua dhe ajo që vuri re, ishte se nuk i kishte shkruar një dorë…
“Koha nuk pret!” – Mendoi ai dhe u fut brenda. Gjumi kishte ikur edhe më larg.

Djali kaloi natën mes zjarrit dhe akullit, mes dashurisë dhe tmerrit, por mbi të gjitha kishte merakun e vashës, ndaj mendoi të shkonte të nesërmen në kishë e të bisedonte me priftin se çfarë mund të bënte.
Për fat, babai i tha të shkonte për të dërguar një porosi në një lagje përtej. I hipi kalit, dërgoi porosinë dhe shkoi drejt e në kishë. U fut tek vendi i rrëfimit dhe i tregoi priftit fill e për pe hallin që kishte. Pasi mbaroi, prifti e thirri dhe i tha:
– Perëndia më faltë që kam dëgjuar rrëfimin e një myslimani, por dashuria
është fryma e perëndisë, kështu, nëse ti kthehesh i krishterë, unë do ta bekoj martesën tuaj… – tha ai, sa për ta përcjellë, po e dinte mirë që s’kishte për të ndodhur një gjë e tillë, se udhëzimet ishin ndryshe.
– Të qofsha falë Perëndi, nënë e Madhe Shën Mari! – Bëri lutjen djali, lutje që
ia kishte mësuar nëna që në vogëli.
Djali iku me një fije shpresë, por kur i dilte parasyshë myftiu dhe shkëndia e shpresës fikej.
Myftiu gjithë ditën e kaloi nëpër xhamitë e tjera të qytetit për të marrë mendimin e tyre që të vepronin të bashkuar. Nga të gjithë, njëri e kishte pranuar këtë zgjidhje që mendonte myftiu i xhamisë së Sinan Pashës. Nuk do të kthehemi në mesjetë, kishin thënë, në inkuzicionin e kishës, por të gjithë myftinjtë e kishin kundërshtuar, por ai kishte përmendur Portën e Lartë e ata kishin heshtur.
Pas një pune të gjatë e të lodhshme, pasdreke myftiu kishte rënë të flinte dhe veç kur e zgjon roja.
– Ka ardhur prifti…
– Le të më presë, – tha dhe u ngrit e shikoi nga dritarja errësirë.
U vesh dhe doli.
– Mirëserdhe bir i perëndisë!
– Mirësetëgjej bir i Allahut! – Ia ktheu prifti.
– Punët s’janë mirë… Vegjëlia po del mbi urdhrin e zotit, – tha ai dhe i tregoi
shkakun e ftesës dhe planin e martesës së dy të rinjve.
– Si do veprojmë? – ia ktheu ai duke mos u shfaqur se ishte në brendësi të kësaj që i tregoi.
– Ti i di urdhëresat nga lart e mos harro, se edhe ti je vënë prift me bekimin e
Patriarkanës së Stambollit… Pastërtia e krishtërimit në Arbëri mbaroi që në kohën e Skënderbeut. E di ti nga se vdiq Papa Piu II?
– Nga ethet…
– Po, nga ethet… po çfarë ia solli ethet e di?
– Nuk kam dëgjuar gjë…
– E pra atë e zunë ethet, kur do kurorëzonte Skënderbeun Mbret të
Krishtërimit dhe Skënderbeu nga ethet vdiq, po do e marrësh vesh se dhe djali do ecë sa do ecë dhe do e zënë ethet… Nuk luftohet më për Fe, por përmes Fesë të sundohet populli. Pse s’ka mundësi turku t’i kthejë të gjithë myslimanë? Po ia do puna që disa të jenë ortodoksë, po, siç e di dhe ti, jo në Fenë e arbërve, por në ortodoksë me norma katolike, hirësi, gjë që ju i dini mirë udhëzimet e Patriakanës së Stambollit… Nesër është e dielë, aty vjen vasha me të atin, ti do e thuash hapur dashurinë e të rinjve dhe nuk guxon të kundërshtojë njeri e meqë janë në Fe të ndryshme, që perëndia nuk e beson këtë lloj dashurie, duhet që të rinjtë do të vihen në provë dhe martesa do të bekohet pasi të jepet prova, ku djali me vashën në krah, do të ngjitë malin pa ndaluar rrugës. Atje do marrin pjesë myslimanë e të krishterë, i gjithë mileti. Përgjatë malit do vendosim të besuarit tanë që do ta shikojnë nga afër që të mos ulen për të pushuar dhe për tu dhënë vetëm nga një pikë ujë.
Kaloi e diela dhe telalli për çdo ditë, deri të dielën, kaloi rrugicë më rrugicë duke rënë daulles dhe duke thirrur me sa kishte zë: “O Mileeeeeeeeeet! Dilni nga shtëpitë e mbani vesh… Çuni i Kasemit me vashën e Kostës së katunit ditën e dielë do bëjnë provën para perëndisë e më pas do bekohen me martesën e tyre në kishë. Mos e humbni këtë rast të rrallë, mbyllni shtëpitë dhe burra, gra e fëmijë të mblidhen në fushën rrëzë malit për të bërë sehir… O Mileeeeet…” ecte dhe e përsëriste pa ndalë me një kënaqësi, sikur po përsëriste syret e kuranit për lutje, apo sikur buçisnin minaretë…
Qyteti mori flakë nga fjalët. Po nëpër gjithë këtë flakë, asnjëri s’dinte se çfarë kishte ndodhur që një i krishtere të martohej me një musliman, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë, s’mahej mend në këtë qytet, ndaj çdo gjë shikohej me dyshim, vetëm djali dhe vasha e kishin të sigurt që do ta kalonin provën dhe do jetonin të lumtur.
Erdhi e diela. Njerëzit, në vend të drejtoheshin nga pazari, apo kisha, u drejtuan nga katundi për të marrë pjesë në “kalimin e provës para perëndisë” të vashës së krishterë dhe të çunit mysliman.
Kur dielli nxori syrin mbi mal, sheshi rrëzë tij ishte mbushur plot e përplot. Thuhej se kishin ardhur edhe njerëz nga katundet tjera. Asgjë s’pipëtinte, të gjithë prisnin që të dilte ndonjë që të fliste para popullit. Njerëzit filluan të lëvizin për të dalluar më mirë djalin që ecte përkrah babait të tij dhe vashën përkah babait të saj dhe qëndruan përballë turmës. Heshtje, thua se kishin shkuar për zi.
Pas pak u duk një burrë që mbante në krah një arkë të madhe dhe e vendosi në anë të të rinjve që rrinin me sy përdhe. Erdhi myftiu i xhamisë së Sinan Pashës me gjithe myftinë e qytetit, po kështu edhe priftërinjtë dhe u vendosën në radhë. Myftiu hipi mbi arkën e kthyer përmbys dhe nisi të flasë:
– Asnjë s’mund të vëprojë kundër vullnetit të perëndisë, por duke ditur
që dashuria është hyjnore, vjen nga Allahu, ne e bëjmë zemrën e gjërë, se jemi bij të allahut, por që të mos hyjmë në mëkat, se vasha është e krishtere dhe çuni mysliman, urdhëri i Allahut është që të mos lidhen në martesë me Fe të ndryshme, prandaj ne jemi mbledhur sot që të shikojmë të gjithë, se nëse e kalojnë provën, do të thotë që Allahu e mbështet martesën e tyre dhe ne do ta lejojmë këtë martesë, nëse ata nuk e plotësojnë, ne s’kemi si dalim kundër dëshirës së Allaut, nuk do i bashkojmë në martesë. Merre në krahë vashën dhe nisuni për provën e Allahut! – Tha më në fund duke u drejtuar nga të rinjtë.
– Në provë… në provë… në provë… – buçti turma.

Baballarët puthën në ballë fëmijët, ashtu siç puthen të vdekurit, me zemër të mardhur, thua se po i nisnin për në banesën e fundit, aq të shqetësuar ishin. Djalit i shkëlqyen sytë si rreze dielli që shfaqet kur çahen retë dhe me një ngazëllim të patreguar e mori vashën në krahë, ashtu siç e mori atë ditë që e gjeti shtrirë për tokë, ndërsa vasha i qarkoi krahët pas qafe dhe për ta s’ekzistonte më, as lumë, as mal, as njerëz… Kurrë nuk e kishin menduar një gjë të tillë dhe e ndjenin veten fatlumë që u dha një mundësi për të përfunduar në martesë.
– Vasha ime, me ty në krahë, do t’i bija gjithë botës rrotull dhe kurrë s’do të
lodhesha, unë do të nxjerr në majë të malit!
– Perëndia qoftë me ne, o im Zot! – Tha vasha duke e vështruar me dashuri.
U nisën, kapërcyen lumin që tashme kalohej lehtë, se vapa e korrikut e kishte trembur dhe si me magji vende – vende humbte e dilte përsëri më poshte dhe morën monopatit të malit. Sapo u futën në mesin e shkurreve djali uli kokën dhe e puthi me zjarr, vasha u drodh dhe u shtërngua pas tij me frikën se do të binte në tokë.
– Sa herë të ndjej lodhje, më puth vasha ime e unë jo vetëm do arrij majën e malit,
po do fluturoj më ty në krah. Allahu e bëftë mirë këtë mall që kam për ty, Allahu na ndihmoftë të lidhim jetën bashkë!
– Amin, – tha vasha, – po mos fol, o im Zot, se mos të priten fuqitë e s’dalim dot në
majë…
Faqja e malit ishte shumë e pjerrët, ndaj kishte vende që i duhej të ecte me zigzake, se s’kalohej, kështu rruga zgjatej më shumë. Dielli ende s’e kishte pushtuar faqen e malit, ndaj ai mundohej të nxitonte, por pesha e vashës sa vinte dhe rëndohej. Këmbët i lodheshin dhe djersa filloi t’i binte pikë – pikë. Vasha nxirrte shaminë që mbante në gji dhe i fshinte që mos i binin në sy. Rrugës herë pas here shfaqeshin të dërguarit e kishës dhe xhamisë me nga nje ibrik me ujë duke u ofruar ujë, por vasha s’e linte djalin të pinte.
– Mos pi ujë, o im Zot, se baba më ka porosit që kur je nxet e me djersë mos pi ujë,
se të pushon zemra…
– Si të thuash ti, o vasha ime! – Thoshte djali duke përfituar nga biseda për të
pushuar pak minuta.
Kështu biseda shtohej prej këmbënguljes së të dërguarve dhe kjo e ndihmonte të pushonte pak.
Dielli pushtoi tej e tej faqen e malit, kur djali kishte edhe pak rrugë për të bërë. Vertet lodhja ishte e madhe, por më e madhe ishte dashuria. Po të mos i kishtin dalë rrugës njerëzit me ibrikët me ujë, vërtet do ta kishte të vështirë djali të arrinte në majë, por më në fund arriti. Lëshoi vashën mbi barin e njomë dhe u shtri bri saj duke pushtuar me sy qiellin dhe me mend tha: “Qofsh bekuar, o Allah që më besove dashurinë që kam për vashën!” U kthye në brinjë i hodhi dorëm në qafë vashës dhe mbeten të përqafuar. Ishte një çast që s’kishte vend as mendimi, as fryma, asgjë… ata ishin të lumtur!
Nuk kaloi shumë dhe erdhën njerëzit e kishës dhe xhamisë dhe me ibrikë në dorë u ofruan ujë.
– Pi tani, o im Zot! – Tha vasha, – se pushove.
– Pi ti, vasha ime para, se për të me respektuar mua, s’pive asnjë pikë ujë rrugës.
– Si të duash, im Zot… – Tha vasha.
Vasha për të mos e zgjatur bisedën, mori ibrikun dhe piu ujë duke lënë më shumë për djalin. Më pas djali e ktheu me fund dhe u shtri përsëri në brinjë të vashës. Erdhën dhe njerëzit e tjerë dhe po rrinin ulur rreth tyre pa ua ndarë sytë. Vasha u ngrit dhe filloi të fshinte sytë.
– Çfare ke vasha ime? – I foli djali duke e vështruar me shqetësim.
– Nuk po shikoj mirë, o im Zot, po më dridhet trupi, kam ethe…
Djali e pushtoi mes krahësh që t’i ndalonte të dridhurat, por ato më shumë shtoheshin.
– Vashë… vasha ime… nusja ime! – Por ajo për herë të parë nuk u përgji thirrjes së
tij.
– Vaaaaaaaaaaaaaash! – Thirri djali, por vasha u derdh në krahët e tij me fytyrë nga
qielli.
I thirri, e shkundi e lau me lot, por vasha heshti përgjithmonë. Nga goja i doli shkumë e bardhë. E shtriu mbi bar, nxori shaminë që mbante në xhep, i fshiu buzët dhe e puthi fort, por dhe djalit filluan t’i dridhen duart, t’i thahej goja, t’i priteshin fuqitë… kishte ethe… nga buzët i doli shkumë e bardhë…
Ra përmbi vashën për të mbetur përjetësisht bashkë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s